Porti akuza sllovenëve: Po vonohen për Terminalin
DURRES/ OERD ULQINI
Nis “luftë e ftohtë” për Terminalin mes Autoritetit Portual të Durrësit dhe kompanisë sllovene “S.C.T d.d”. Kjo firmë e huaj ka fituar tenderin ndërkombëtar për investimin me vlerë 15.2 milionë euro, ndërkohë që në bazë të kontratës përfundimi i punimeve duhet të jetë prilli i vitit 2010. Të pakënaqur nga rendimenti i punës së deritanishme drejtuesit e portit kanë njoftuar Ministrinë e Transporteve dhe kryeministrinë. Nga ana tjetër kreu i APD-së, Eduart Ndreu ka kërkuar një takim urgjent pune me presidentin e “S.C.T d.d.”, duke i kërkuar atij shpjegime për vonesat. Takimi në Durrës është anuluar, pasi presidenti slloven ka dërguar në tryezën e bisedimeve vartësit e nivelit të dytë, ndërsa ai vetë është nisur për një punë në Ljubianë pa dhënë shumë shpjegime. Eduart Ndreu nuk ka pranuar bisedime me vartësit, duke anuluar takimin dhe kërkuar një tjetër, të një niveli të lartë. Ky incident është i pari që ndodh mes drejtuesve të portit dhe shoqërisë së njohur të Ljubianës. Punimet kanë vijuar me vonesë në këto katër muaj. Sipas APD-së është bërë vetëm 60% e asaj që ishte e planifikuar të kryhej në kantier brenda kësaj periudhe. Nisur nga ritmet e deritanishme inaugurimi i terminalit rrezikon të shtyhet me një vit tjetër. Kjo ka sjellë pakënaqësi të hapur të drejtuesve të APD-së ndaj kompanisë sllovene “S.C.T d.d.”, së cilës i është besuar terminali. “Autoriteti Portual i Durrësit është i pakënaqur me ritmet për punimet në terminal. Ne u kemi vënë në dispozicion gjithçka duan, por punimet janë të vonuara”, tha nëndrejtori i portit, Mentor Bunguri. Në kantier deri më tani janë kryer punime pastrimi dhe sheshimi. Për APD-në duket se nuk ekzistojnë probleme madhore, pasi në kontratë janë parashikuar penalizime për kompaninë në raste vonesash. “Supervizore e terminalit është një shoqëri gjermane dhe në këtë mes porti nuk ka asnjë përgjegjësi. Ne thjesht kërkuam informacione për ecurinë e punimeve”, tha drejtori Ndreu. Fituese e tenderit ndërkombëtar për këtë investim gjigand u shpall shoqëria sllovene, e cila mori përsipër punimet me një kosto shumë më të ulët se konkurrueset e tjera. Përpara se në tender të shfaqeshin sllovenët, mendohej se për terminalin e Durrësit duheshin shpenzuar së paku 20 milionë euro. Financimi i terminalit u mundësua nga bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me investitorët e fuqishëm, si BEI dhe BERZH. Ky terminal do të përpunojë shumë shpejt pasagjerët dhe automjetet që mbërrijnë në Durrës nga portet e Italisë lindore, duke shmangur radhët e gjata që krijojnë kaos. Pas këtij investimi Porti i Durrësit parashikon të tejkalojë shifrën e 1 milion pasagjerëve të përpunuar brenda një viti.