E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, në Port 4 herë më pak emigrantë

 

DURRES - Bie në mënyrë drastike ardhja e emigrantëve në Shqipëri, përmes portit të Durrësit. Kur mendohet se kjo do të ishte një periudhë dyndjeje, ndodh e kundërta. Kur na ndajnë më pak se dy ditë nga ndërrimi i viteve, numri i hyrjeve në Durrës rezulton të jetë më pak se 2000 për shtetasit shqiptarë dhe afro 1000 për të huajt. Këto janë shifrat mesatare të mbërritjes së pasagjerëve nga Italia, në një hark kohor prej 24 orësh. Rënie të ndjeshme (katër herë më pak se një vit më parë), u shënuan edhe ditën e Krishtlindjeve, kur mesatarisht në Durrës zbarkuan 2500 emigrantë. Sipas Autoritetit Portual, shpjegimi gjendet tek kriza botërore, e shoqëruar me pasigurinë për vendin e punës. Emigrantët kanë fare pak ditë në dispozicion për pushime, ndërsa shpenzimet e udhëtimit janë tejet të larta. Nisur nga këta faktorë, po thyhet për herë të parë tradita e formuar pas vitit 1992, kur gjithnjë emigrantët e bënin gëzuar së pari me të afërmit e tyre në Shqipëri. Sipas llogaritjeve paraprake, mësohet se vetëm nga Porti i Durrësit kanë mbërritur afro 60 mijë-70 mijë emigrantë më pak, për festat e fundvitit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. E vetmja anë e mirë e kësaj rënieje udhëtimesh është fakti se ata që lundrojnë drejt Shqipërisë, nuk u nënshtrohen radhëve të gjata në port.                                            o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›