E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq, 15 hakerat e bankave

 

Trazhgim Sokolaj

Njësia Task-Force kundër krimit eko-nomik dhe korrupsionit, përfundon hetimet dhe dërgon në gjykatë dosjen penale ndaj 15 personave të konsideruar si grupi më i madh i hakerave shqiptarë në fushën e vjedhjeve dhe mashtrimeve bankare. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave dosja penale e koduar me emrin "Matrix" dorëzohet ditën e sotme në gjykatë me 15 persona të pandehur për disa akuza penale. Sipas burimeve të hetimit, 11 prej të pandehurve akuzohen se kanë kryer veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të letrave me vlerë, ndërsa katër të pandehur të tjerë fajësohen për moskallëzim krimi, pasi kanë qenë në dijeni të aktivitetit kriminal të miqve të tyre, por nuk kanë denoncuar në polici. Prokuroria tha se 13 prej të pandehurve i kanë pranuar akuzat që janë ngritur ndaj tyre, pasi janë përballur me përgjimet telefonike disamujore që u janë bërë bisedave të tyre. Një tjetër provë e akuzës kanë qenë imazhet filmike të fiksuara nga bankomatet, nga të cilat janë vjedhur mbi 400 llogari bankare të personave të dëmtuar. Përmes kartave të klonuara të kreditit, anëtarët e bandës së hakerave kanë hyrë në llogaritë e shtetasve të ndryshëm, duke tërhequr shuma të konsiderueshme financiare. Veprimet kriminale të të pandehurve, sipas Prokurorisë, kanë filluar në gjysmën e dytë të vitit 2007 dhe kanë vazhduar për rreth nëntë muaj deri në 6-mujorin e parë të vitit 2008.
Mashtrimet bankare
Endrit Gjergjani (Laro) akuzohet se është drejtuesi i grupit të 15 të rinjve të pandehur në dosjen "Matrix". Gjergjani, i cili ka pranuar akuzën, kishte blerë një pajisje elektronike me të cilën shkruante dhe formatonte kartat e kreditit, të cilat ua shpërndante të arrestuarve të tjerë. Këta të fundit, përfshi edhe vetë babanë e Endrit Gjergjanit, i vinin në punë kartat e klonuara të kreditit, për të tërhequr shuma nga llogaritë e personave të ndryshëm në Evropë dhe Kanada. Duke komunikuar përmes internetit me hakera rusë dhe anglezë, Enrdit Gergjani merrte prej tyre kodet e kartave të kreditit, duke u paguar bashkëpunëtorëve të tij jashtë vendit shuma prej 500 euro me anë të agjencive të transfertave. Pasi merrte të dhënat përmes një pajisje klonimi, Gjergjani hidhte të dhënat në karta krediti të boshatisura, duke prodhuar në këtë mënyrë një dokument "Mastercard" ose "Visa", identik me zotëruesit e llogarive bankare. Kartat e klonuara u shpërndaheshin më pas anëtarëve të tjerë të grupit, të cilët me kodet e vjedhura kanë kryer mbi 400 tërheqje nga bankomatet në Tiranë, Durrës, Fier e Vlorë. Tërheqjet e parave nga të pandehurit janë dokumentuar për shkak se bankomatet ku janë vënë në përdorim kartëkreditet e klonuara kanë fiksuar kohën e veprimeve të hakerave si dhe kanë regjistruar me anë të kamerave veprimet e kryera nga të akuzuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›