E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, kërkohet lirimi i dy inxhinierëve të pallatit

 

GJIROKASTER

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjiro-kastër ka lënë sërish në burg inxhinierin zbatues të firmës "Arti Ndër-tim" shpk, Luan Bufi dhe specialistin gjeolog Thanas Llahana. Megjithë kërkesën për ndryshim të masës së arrestit, dy prej të akuzuarve për pallatin e shembur më 9 nëntor, ajo nuk u vendos dje. Seancat për rishqyrtim të kësaj kërkese, janë zhvilluar mesditën e djeshme, në një kohë kur pala mbrojtëse kishte informacion për disponimin e të dhënave të fundit, të mbledhura në vendngjarje nga një grup ekspertësh. Sipas tyre, këto të reja hedhin dritë mbi pafajësinë e Bufit dhe Llahanas. Kryesuesi i seancës gjyqësore Pëllumb Vehbiu, duke qenë se nuk u paraqit akti i ekspertëve si rrethanë e re, gjykoi se kjo procedurë do të çmohet në momentin që do të prezantohet nga organi i akuzës përmes prokurorëve të çështjes Alfred Saliu dhe Arben Pasho. Avokatët e dy të pandehurve, kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga "arrest në burg" në "ndjekje në gjendje të lirë", për Luan Bufin dhe Thanas Llahanan. Akti i ekspertimit i përgatitur nga një grup ekspertësh, ende nuk ishte dorëzuar në Prokurorinë e Gjirokastrës, nga i cili varet fati i të pandehurve Llahana dhe Bufi. Avokatët mbrojtës të tyre Andi Duraj dhe Bernard Aliko, kishin paraqitur kërkesë për të marrë një kopje të këtij akti, i cili nuk është vënë në dispozicion të tyre. Sipas burimeve tepër të sigurta, mësohet se ekspertët janë paraqitur disa herë në prokurori, por ende nuk kanë dhënë ndonjë akt përfundimtar, i cili do të sqaronte problemet teknike që kanë të bëjnë me raportin teknik të lëshuar nga gjeologu Thanas Llahana për ndërtimin e godinës 8-katërshe, punimet e të cilës dyshohet se provokuan rënien e pallatit në lagjen "11 Janari", mesditën e 9 nëntorit, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve. Sipas avokatit të gjeologut të arrestuar, Bernard Aliko, raporti teknik i lëshuar nga klienti i tij, ka qenë tërësisht korrekt çka nuk duhet të provokonte arrestimin e tij dhe lënien padrejtësisht në burg. "Thanas Llahana, i cili përveçse s'ka faj, në raportin e lëshuar nga ai, vuan nga një sëmundje tepër e rëndë kardiovaskulare çka u diagnostikua para kësaj ngjarjeje në Greqi ku rekomandimi i mjekëve ka qenë ndërhyrja e menjëhershme kirurgjikale si dhe shmangia e çdo lloj stresi psikologjik të ushtruar ndaj tij", u shpreh avokati. Aliko pohoi se e ka quajtur mjaft të çuditshme ngritjen e akuzës "moszbatim të kushteve teknike" ndaj gjeologut duke anatemuar arrestimet e shumta të policisë pasi ato justifikojnë, sipas Alikos, ngjarjet e rënda që kanë fajtorë të cilët shëtisin rrugëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›