Alarmi në Bulqizë, toka fundoset 6 m
BULQIZE/ HASAN PASHA
Banorët e qytetit të Bulqizës në Qarkun e Dibrës jetojnë me ankth e frikë. Fusha e Vajkalit që ndodhet midis dy lagjeve të qytetit, ose siç bulqizakët e quajnë Qyteti i Ri dhe Qyteti i Vjetër, ka pësuar një rënie rreth 6 metra nga niveli i mëparshëm. Ky cedim ka sjellë dëme materiale në disa objekte shtetërore dhe private, ndërsa vetë fusha është shndërruar prej 1 dekade në një liqen. Shkolla e mesme e qytetit, godina e ndërmarrjes pyjore, pallate dhe disa objekte private janë dëmtuar totalisht ose pjesërisht. Inxhinierët gjeologë përpiqen të qetësojnë banorët se situata nuk është alarmante dhe se nuk ka vend për panik. Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta tha për gazetën “Panorama” se gjendja aktuale dihet. Historia e uljes së tokës është studiuar sipas Ketës që në vitin 1968, kohë kur specialistët rusë kanë dhënë informacionet e para për cedimin e Fushës së Vajkalit. Sipas kryebashkiakut, në vitin 1995 specialistët e gjeologjisë kanë konstatuar cedimin e parë, por ulja më e madhe e kësaj fushe është regjistruar në vitet 1996-2000. Gjeologë të Bulqizës tregojnë se para fillimit të punimeve për ndërtimin e qytetit, kjo fushë ka qenë kënetë, e cila është tharë përfundimisht në vitin 1986. “Në krahasim me para vitit 1990 kur është bërë ndërhyrje, uljet maksimale respektivisht janë: rrugën e varrezave kemi një ulje 4.4 m, rruga nacionale 4.7 m, konturi verior i fushës 1,2 m dhe konturi jugor i fushës rreth 1 m”, thonë gjeologët. Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë ulje, sipas specialistëve, është dhe traverbangu i segmentit hekurudhor Klos-Bulqizë, (tuneli i nëndheshëm, i ndërprerë në vitet ’90), i cili ka arritur të hapet deri në 100 m në afërsi të rrugës së varrezave. Shkaqet e cedimit afro 6 m të kësaj fushe, sipas specialistëve janë: mosfunksionimi i sistemit të drenazhimit të Fushës së Vajkalit, i sistemit të kullimit, i tunelit hekurudhor, etj. Por, inxhinieri me përvojë në Bulqizë, Jorgo Kola pohon se gjithçka nisi nga thellimi i kanalit në mes të Fushës së Vajkalit vitet e fundit. “Thellimi i kanalit që kalon mespërmes Fushës së Vajkalit është bërë pa pikën e logjikës gjeologjike. Ai kanal, në drejtimin perëndim-lindje duhej mbajtur në gatishmëri pune por kurrsesi nuk duhej thelluar. Thellimi bëri që baza e erozionit në fushë të ulej dhe të kishte dëmtime të mëtejshme”. Ai thotë se e ka ndjekur me shqetësim uljen e Fushës së Vajkalit, madje nuk heziton të sqarojë pse e si ndodhi ky cedim. “Fusha e Vajkalit ka pësuar një cedim përderisa janë krijuar pellgjet ujore. Ato tregojnë se është ulur shtresa trofike, (e butë) e saj. Për mendimin tim shkaku duhet kërkuar te traverbangu. Traverbangët e Klosit që janë drejtuar nga miniera, kanë thithur sasi të mëdha uji së bashku me mikrogrimcat. Kjo ka krijuar një prishje të ekuilibrit të grumbullimeve mijëra vjeçare. Është prishur struktura dhe kjo ka sjellë cedim”, thotë inxhinieri. Sipas tij, gjendja nuk është aq alarmante sa ç’ishte më parë. Dy shpatet ekzistuese të Bulqizës kanë sjellë mbetje të reja, duke plotësuar masën gjeologjike në një farë mase. Janë kryer studime të shumta dhe të tjera priten të kryhen nga specialistët e Bulqizës dhe Institutit të Gjeologjisë. I pyetur nëse mund të rilindin probleme në këtë qytet për shkak të uljes së tokës, Jorgo Kola sqaroi se shumica e objekteve në këtë qytet janë ngritur mbi materiale të depozituara dhe jo në tokë të fortë apo shkëmb. “Rreziku nga një tërmet nuk përjashtohet të jetë i ndjeshëm. Kur ra tërmeti i vitit 1997 gati të gjitha objektet e ndërtuara me gurë e baltë të zonës së Bulqizës pësuan dëmtime tërësore ose të pjesshme”, pohon specialisti i njohur.
Specialistët japin mënyrat e zgjidhjes
Thellimi i kolektorit kryesor të Fushës së Vajkalit, thellimi i kanaleve të kullimit, mbingritja provizore e rrugës së varrezave, mbingritja provizore e rrugës nacionale deri 5 m, ndërtimi i katër tombinove me diametër 800 mm në ndërprerjet e kanaleve sekondare të kullimit me rrugën lidhëse të qytetit të ri dhe të vjetër, janë parë si zgjidhje emergjente nga inxhinierët gjeologë të Bulqizës. Ndërkohë si zgjidhje afatgjata mendohen përfundimi i traverbangut si dhe çimentimi i seksionit tërthor të tij për eliminimin e filtrimeve në drejtim të tij dhe çimentimi i seksioneve tërthorë të puseve të minierës.
Rreziku pas shembjes së gjimnazit
Tre vjet më parë shkolla e mesme e qytetit, vetëm pak metra larg kanalit të fushës së Vajkalit është shembur, por fatmirësisht nuk ka sjellë probleme për jetën e nxënësve dhe mësuesve. Ulja e tokës dhe mbipesha e objektit bëri që ai të rrënohej dita-ditës. Ka mbetur si një “monument” në periferi të qytetit. Drejtuesit e arsimit në rreth thonë se i kanë kërkuar dikasterit të arsimit lejen për shembjen totale, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Ndërkohë ngjitur me shkollën e shkatërruar ndodhet ajo 9-vjeçare “Xhevdet Doda”. Drejtoresha e shkollës Albana Balla tha se mësuesit e nxënësit kanë frikë për shkak të cedimit të tokës fare pranë themeleve të objektit. “Kemi vënë në dijeni të gjitha strukturat shtetërore dhe kemi kërkuar të sigurohet jeta e nxënësve dhe mësuesve të shkollës, pasi frika është e pranishme në çdo kohë”, thotë Balla.