E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firon kokaina në pikën e basteve, policia duarbosh

 

Dashamir Biçaku

Kokaina derdhej në bidenë e tualetit në lokalin e basteve sportive në pronësi të Bruno Marës, në kohën që agjentët e policisë po trokisnin pas derës, në lokalin ku sipas informacioneve ndodhej një sasi droge.Pas të dhënave për mbajtje kokaine në pikën e basteve, agjentët e policisë së kryeqytetit zhvilluan aksionin të premten në rrugën “Irfan Tomini”, pranë kryqëzimit të shkollës Teknologjike. Por edhe pse ishin përgatitur për një “peshk të madh” agjentët kanë dalë duarbosh. Prej disa javësh, të arrestuarit, Bruno Mara 28 vjeç, pronar i lokalit si dhe Rubens Balluku, 27 vjeç, mbaheshin nën vëzhgim nga agjentët e policisë. Ndaj tyre, hetues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, mësohet se kishin kryer hetime paraprake në drejtim të mbledhjes së provave. Burimet nga Sektori i antidrogës së Policisë së Shtetit, pohuan se janë kryer përgjime edhe filmime për mbledhjen e provave në ngarkim të të dyshuarve për mbajtjen dhe shitjen e lëndës narkotike. Gjithë pritshmëria e operacionit, sipas krerëve të policisë, është dëmtuar për shkak të ndërhyrjes në terren. Zyrtarët thanë se ndërhyrja e policisë duhej të bëhej më e shpejtë dhe më e befasishme në lokalin ku ndodheshin të arrestuarit që, sipas të dhënave, mbanin një sasi të madhe kokaine. Policia pohoi se në këtë rast, duhej kishin informuar më parë dhe në mënyrë më të saktë oficerët dhe agjentët e antidrogës së policisë së kryeqytetit, të cilët duhej të bënin ndërhyrjen. Por ky detaj i vogël në pamje, duket se ka kushtuar jo pak, pasi të dyshuarit e arrestuar besohet se kanë hedhur në banjë lëndën narkotike që mbanin, në kohën kur dëgjuan agjentët që trokitën në derën e pikës së basteve. Mëngjesin e të premtes, hetuesve të antidrogës së Tiranës, u ka mbërritur urdhri se duhej të godisnin disa persona që merreshin me shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Madje sipas informacionit, lokali në hyrje të rrugës “Irfan Tomini”, ishte përshtatur dhe përdorej si vend i konsumimit të kokainës. Oficerët kanë mbërritur rreth orës 10:00 në vendin ku do të vepronin dhe kanë hyrë brenda duke u prezantuar. Pas kontrollit, policia ka gjetur dy armë zjarri pistoleta, një të markës “TT”, model 54, me një krëhër me 7 fishekë, si dhe një pistoletë “Smith”. Agjentët kanë dëgjuar se në tualetin e lokalit, ndodhej dikush dhe kanë mbërritur atje duke trokitur, por shkarkuesi i ujit kishte përfunduar zhdukjen e kokainës. Dyshohet se ky veprim është kryer nga pronari i pikës së basteve, me qëllim që t’i shpëtonte akuzës së policisë. Gjithsesi gjatë kontrollit atij i është gjetur një sasi e vogël, prej më tepër se një gramë kokainë, e mjaftueshme për të ngritur akuzë për mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike. Veç kësaj akuze, ndaj Bruno Marës policia ngriti edhe dyshimet për përshtatje të ambienteve për përdorim të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›