Një i vdekur e pesë të plagosur nga 3 aksidente
TIRANE - Një i vdekur dhe pesë të plagosur është bilanci i tre aksidenteve të ndryshme, të ndodhura gjatë fundjavës dhe gjatë mbrëmjes së djeshme, në akse të ndryshme në periferi të kryeqytetit. Të shtunën një mjet “Mercedez-Benz”, me targa Dr 1243 D, i drejtuar nga Leonard Nasufi aksidentoi rëndë Mahmut Karajn, 67 vjeç nga Fushe-Preza. Po të shtunën, 23-vjeçari Elis Hajdini që udhëtonte me një motoçikletë, është goditur nga një automjet me targa TR 2031. Ndërkaq dje pasdite, një automjet “Mercedez- Benz”, A 140 me targa Tr 2090 D është goditur nga një autobus pasagjerësh me targa të Vlorës. Nga përplasja e mjeteve, mësohet se janë plagosur 4 persona, që ndodheshin në autoveturë. Mes të plagosurve, sipas burimeve të policisë, ishin një fëmijë i vogël si dhe një vajzë 18-vjeçare, të cilët janë dërguar në spital ku edhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton për shkaqet e këtyre aksidenteve.