E Diel, 1 Nëntor 2026

Masivi i dheut bllokon rrugën me Dukagjinin

 

SHKODER - Rrëshqitja e një masivi dheu bllokon aksin rrugor Kir-Dukagjin, duke i mbajtur banorët e kësaj zone për rreth 6 orë të bllokuar. Shkak për një situatë të tillë ka shërbyer shembja e një masivi dheu si rezultat i shirave të shumtë, të rënë gjatë ditëve të fundit në Qarkun e Shkodrës. Ato kanë krijuar një sërë problemesh në rrugët rurale, por më problematike rezulton të jetë segmenti që lidh Dukagjinin me Shkodrën. Rrëshqitje dheu dhe gurësh kanë bllokuar qarkullimin e personave në të dyja anët e saj. Masivi i dheut, i shkëputur nga mali ka bllokuar për rreth 6 orë rrugën që lidh Shkodrën me këtë zonë të thellë malore duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve. Shtabi i Emergjencave Civile si dhe Drejtoria e Rrugëve Rurale me të marrë njoftimin për situatën e krijuar ka nisur drejt fshatit Kir, vendi ku është rrëzuar masivi i dheut automjetet e tonazheve të rënda me qëllim për të mundësuar lirimin e këtij aksi rrugor. Pas një pune intensive prej 6 orësh është bërë e mundur hapja e saj dhe kalimi i automjeteve me një ko rsi. Ky aks vazhdimisht është përmendur për amortizimin e tejskajshëm të saj si dhe për mungesën e investimeve në infrastrukturë. Më 12 mars 2007, në këtë vend 10 vetë humbën jetën pas rrëzimit të një furgoni në humnerë.                       r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›