Vrasja e Tivarit për ideologji fetare
Trazhgim Sokolaj
Disa ngjarje të fiksuara në kujtesën e popujve për nivelin e lartë të organizimit, pasojat katastrofike dhe mizorinë e veprimit e kanë shpjeguar qartë rrezikun që paraqet terrorizmi.Dy avionë udhëtarësh që godasin kullat binjake në zemër të Amerikës, World Trade Center që bëhet në pak minuta rrafsh me tokën, imazhet e kamikazëve me thika në duar në kabinat e avionëve, ngjarjet e fundit në Indi apo edhe masakrat e ndodhura në Turqi, renditen mes atyre precedentëve që kanë konfirmuar se terrorizmi është një rrezik potencial për paqen, sigurinë e shteteve dhe jetën e qytetarëve. Raporti i terrorizmit me Shqipërinë nuk është fort i qartë dhe shkaqet janë të shumta. Konspiracioni me të cilin veprojnë grupet apo organizatat terroriste është i lartë e po aq, edhe lufta ndaj elementëve të tillë në Shqipëri, ka qenë larg vëmendjes së publikut për shkaqe të kuptueshme. “Krimi dhe Antikrimi”, një libër me autor oficerin e policisë Bujar Hoxha, pjesë të të cilit po publikojmë prej disa javësh, hedh një vështrim interesant mbi format e elementëve të terrorizmit që kanë ekzistuar në Shqipëri e që fatmirësisht nuk janë shfaqur në formën e tyre më të egër pasi janë parandaluar në kohë. Fillesat duket se qëndrojnë në kohën kur “Al-Kaida”, e krijuar në vitet `80 nga Osama Bin Laden, për të mbështetur luftën e Afganistanit kundër Bashkimit Sovjetik, filloi të shpërndante anë e kënd botës “Zyrat e Shërbimeve”. Këto ishin struktura që u ngritën me qëllim riorganizimin e organizatës terroriste dhe rekrutimin e anëtarëve të gjirin e saj. “Ka dyshime serioze se një e tillë mund të jetë krijuar edhe në Shqipëri”, shkruan oficeri Hoxha në kapitullin e librit të titulluar “Al-Kaida dhe ne”. Përveç rekrutimit të kujdesshëm të anëtarëve, zyra të tilla do të merreshin edhe me transaksionet financiare dhe operacionet terroriste. Më pas Al-Kaida filloi ndërtimin e bazave stërvitore ushtarake dhe informative, si dhe nëndegët e tyre që përbëheshin nga grupe të maskuara me emra ilegalë si fondacione bamirësie, fetare apo ndihmash. “Në vendin tonë, nën petkun e përgatitjeve fetare, pjesëtarë të këtyre grupimeve, krahas leksioneve fetare kanë përzgjedhur, përgatitur dhe trajnuar disa besimtarë nëpër kampe fushimi me program të caktuar ushtarak si përdorim të armës, karatesë, përgatitje të mjeteve shpërthyese etj. Informacionet e grumbulluara nga shërbimi Antiterror flisnin për kampe të tilla të aplikuara në Malin e Dajtit, Kampin e Sindikatave, në fshatin Qerret të Kavajës, në disa zona të rrethit të Matit etj. Në radhët e besimtarëve, shqiptarë të trajnuar, janë përfshirë kryesisht moshat e reja, ata që kanë përfunduar shkollat e larta në vendet arabe. Tërheq vëmendjen fakti se në këto programe intensive janë shpërndarë dhe shfaqur videokaseta që pasqyronin përgatitjen e ushtarëve “muxhahedinë” të shoqëruar me betime të Kuranit për mbrojtjen e Islamit. Këto kaseta vazhdojnë të jenë prezente, duke u shpërndarë ndër njerëz të besuar”, thuhet në librin “Krimi dhe Antikrimi”.
Elementët terroristë në Shqipëri
Në vitin 1998 Al-Kaida formuloi një ligj që ngarkonte anëtarët e saj me detyrimin individual që të vrisnin amerikanët dhe aleatët e tyre civilë apo ushtarakë. “Në këtë linjë ishin parashikuar veprime edhe në vendin tonë, kryesisht ndaj Ambasadës Amerikane e forcave të saj në Shqipëri, për të cilën u punua shpejt dhe u ezauruan edhe në bashkëpunim me shërbimet partnere”, thuhet në libër. Më pas oficeri i policisë Bujar Hoxha trajton në librin e tij çështjen e fondacioneve “të dyshuara”, që kanë vepruar edhe në Shqipëri. “Në vendin tonë, në vite, kanë vepruar shumë organizata e fondacione fetare. Aktualisht numri i tyre është reduktuar gati në minimum. Ka pasur edhe grupe të ndryshme sunitë, të ardhur kryesisht nga Pakistani, Anglia dhe vende të ndryshme islame të quajtura “Jemaat-Tablizi”, misionarë thirrës islam”, vijon më tej libri, që vijon më tej me një shembull. “Në vitin 1998, pak kohë para konfliktit të armatosur në Kosovë, një shtetas shqiptar i indoktrinuar me ndjenja të gërshetuara etnike e fetare, synonte të vendoste një bombë të fuqishme në selinë e ish-Ambasadës Jugosllave dhe në ndërtesën e Kryeministrisë, në shenjë hakmarrje për ngjarjet që po zhvilloheshin në Kosovë. Kryerja e aktit terrorist do të shërbente si një sinjal paralajmërues, veçanërisht për qeverinë shqiptare, që, sipas tij, nuk po luante rolin patriotik e kombëtar në çështjen kosovare. Pyetjes për luftëtarët e “Xhihadit”, iu përgjigj: “Xhihadi”, për ne myslimanët konsiderohet një burim i fuqishëm shpirtëror dhe na bën thirrje për veprim të energjive shpirtërore, një burim transformues energjish për lëvizje të reja shoqërore dhe jo siç e konsiderojnë perëndimorët, një propagandë fetare dhe kërcënim për njerëzimin”, thuhet në librin “Krimi dhe Antikrimi” me autor oficerin e policisë Bujar Hoxha. I cili thekson se në vendin tonë kanë vepruar mbi 80 fondacione e shoqata bamirësie.
Fondacionet dhe vrasja e Sali Tivarit
“Aktualisht janë 12 të tilla. Ka pasur prej tyre që nën petkun e bamirësisë kanë shfrytëzuar pozicionin fetar dhe kanë kryer veprime kriminale për të cilat janë ndëshkuar. Përmendim dëbimin e tre shtetasve egjiptianë, anëtarë të shoqatës “Tabiah”, pasi shërbimi Antiterror grumbulloi të dhëna të mjaftueshme për veprimtari antiligjore dhe nxitje të përdorimit të dhunës, si mjet për të arritur qëllimet fetare, që kundërshtonin ekuilibrin fetar të stabilizuar në vendin tonë. Këta të huaj, me veprimet e tyre krijuan konflikte mes sekteve të ndryshme në një rreth verior të vendit tonë, duke inspiruar veprime të pa moralshme ndaj kulteve të përfaqësuara nga sekte të ndryshme, duke shkuar deri në djegien e një tyrbeje nga një besimtar sunni. Strukturat antiterror duhet të vrojtojnë çdo sinjal a të dhënë që lidhet me konfliktet fetare, pa i lënë ato të kalojnë në hakmarrje, ndryshe pasojat mund të jenë tepër të rënda. Raste të tilla kanë ndodhur por do të veçoja dy prej tyre. Rasti i parë ka të bëjë me vrasjen e bujshme të Sekretarit të Komunitetit Mysliman, Sali Tivari, në vitin 2002. Nga hetimet paraprake dhe të dhënat e grumbulluara rezulton se kjo vrasje ka të ngjarë të jetë lidhur me shkaqe ideologjike, të shfaqura në radhët e të rinjve, që kanë përqafuar sektin e njohur “selafi”, që është futur në vendin tonë pas vitit 1993. Pikënisje do të shërbente hapja e Institutit fetar El-Hagri në rrethin e Elbasanit, i cili në thelb kishte programin fetar, si një qendër shkollimi e fesë islame. Programi i saj nuk ka qenë i miratuar nga Ministria e Arsimit por vetëm nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Mësuesit kanë qenë kryesisht sudanezë dhe njëri prej tyre iraken”, shpjegohet në libër, ku më tej vijon rasti tjetër. “Rasti i dytë ka të bëjë me ngjarjen e krijuar në një fshat të Librazhdit mes dy rrymave, që përfaqësohet nga dy vëllezër. Të cilët kanë kontradikta të forta në drejtimin fetar. Përfaqësuesi i krahut “Selefi” kërkon me forcë xhaminë e fshatit. Që historikisht ka qenë pasuri fetare e krahut “Hanefi”. Libri trajton më pas edhe çështjen e financave të terrorizmit, duke përmendur krijimin në vendin tonë të organizatës xhihadiste, të financuar nga fondacioni “Al-Haramain”, një OJQ e lidhur me Al-Kaidën. “Përmendim një të huaj nga vendet arabe, i cili në vitin 1999, me dokumente të falsifikuara u fut në Tiranë për të kryer akte terroriste ndaj personelit të një ambasade perëndimore. Ndonëse kërkohej si terrorist ndërkombëtar, ai arriti të strehohej në një banesë në periferi të kryeqytetit. Mbas një pune operative të kujdesshme, u lokalizua vendndodhja e tij. I rrethuar nga policia, nuk pranoi të dorëzohej por qëlloi ndaj forcave të policisë duke plagosur një oficer policie. Në këto kushte policia u detyrua të bëjë asgjësimin e tij”, vijon më tej libri. Oficeri Bujar Hoxha vë theksin në masat e forta që duhen marrë në këtë drejtim nga organet shtetërore, duke sjellë në libër një rast “kur në një xhami në periferi të Tiranës, drejtues të xhamisë u drejtohen të rinjve se “...ju jeni e ardhmja e Islamizmit, ju jeni lulet e Bin Ladenit...”.
“Krimi dhe Antikrimi”
Libri “Krimi dhe Antikrimi”, me autor oficerin Bujar Hoxha, drejtor i Sektorit të Hetimit të Krimeve të Rënda në policinë e shtetit, ka dalë në qarkullim në gusht të këtij viti. Prej dy javësh, gazeta “Panorama” po sjell kapituj të veçantë nga libri, të cilat i kushtohen fenomeneve dhe rasteve të veçanta të kriminalitetit në Shqipëri. Libri në fjalë paraqet një artikulim të veçantë dhe profesional, pasi bazohet në një literaturë të zgjeruar vendase e të huaj, në burime publike por edhe në përvojën konkrete që ka pasur policia shqiptare në raport me veprimtarinë kriminale.