Alarmi, në qark mbi 17 mijë të papunë
FIER - Shifra alarmante janë paraqitur së fundmi në qarkun e Fierit për sa u përket të papunëve. Me një popullsi prej 82 mijë banorësh qyteti i Fierit, sipas statistikave, numëron një papunësi prej 12.8%. Shifrat zyrtare janë deklaruar ditët e fundit nga burime brenda Zyrës së Punës, ndërsa nga kjo drejtori është bërë e pamundura që të ndërmjetësohet lidhja e punëkërkuesve me subjekte private. Këtë fakt e konfirmon vetë drejtori i Zyrës, Kristaq Lena. Sipas të dhënave, numri i punëkërkuesve shkon në 17.830 persona në qarkun Fier, ku pjesën më të madhe apo në 54% e përbëjnë moshat e reja. Sipas statistikave të deritanishme, kriza nuk ka ndikuar në rritjen e papunësisë në këtë qytet, duke qëndruar në të njëjtat kuota dhe në të njëjtat shifra me ato të një viti më parë. Por një numër të konsiderueshëm të papunësh, prej 1200 vetësh, janë shtuar për shkak të reformës në sektorin e naftës.