Gjykata e Lartë pakt me Gabën
Gjykata e Lartë pritet të vendosë kundër vendimit të KLD-së që shkarkoi nga detyra për shkelje të rënda ish-kryetaren e Gjykatës së Apelit të Vlorës Gjinovefa Gaba. Në një kohë kur vendi është në fushatë dhe gjithë vëmendja e opinionit publik është përqendruar tek procesi zgjedhor, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë marrë në shqyrtim vendimin e KLD-së për shkarkimin e Gabës, pritet që ta prishin këtë vendim, duke vendosur në favor të gjykatëses që së bashku me disa ish-vartës të saj, u gjet nga inspektimet me shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Burime nga Gjykata e Lartë konfirmojnë ende pa u zhvilluar seanca madje kur ende nuk janë dëgjuar palët, se vendimi do të jetë në favor të Gjinovefa Gabës. Mbetet për t'u parë në ditët e ardhshme nëse të dhënat e burimeve nga Gjykata e Lartë për kompromis jashtë sallës së gjyqit, janë të vërtetë apo jo. Nisur nga këto shkelje, plot 15 të tilla, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi më 31 janar 2008 me shumicë dërrmuese votash nga anëtarët, shkarkimin nga detyra të Gjinovefa Gabës bazuar në propozimin e bërë nga ministri i Drejtësisë. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kishin kryer gjatë vitit 2007 disa kontrolle në Gjykatën e Apelit të Vlorës, ku zbuluan shkelje flagrante të ligjit dhe abuzime me dosjet civile e penale të shqyrtuara në këtë institucion. Një nga rastet ekstreme të abuzimeve ishte falsifikimi i një vendimi gjyqësor në emër të gjykatësit Vasil Hanxhari, kur është provuar se ditën e shpalljes së vendimit në emër të tij, ai ka qenë në Maqedoni. Kjo gjë u verifikua me dokumentet e pikës së kalimit kufitar që provoi se gjyqtari kishte qenë në Maqedoni, në ditën kur rezultonte se kishte firmosur vendimin në Gjykatën e Apelit Vlorë, të drejtuar në atë kohë nga Gjinovefa Gaba. Ish-drejtuesja e Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba e akuzuar publikisht nga dhjetëra qytetarë që kanë denoncuar përgjatë dy viteve abuzimet e saj në detyrë, u akuzua përpara KLD-së për abuzime në 15 dosje të shqyrtuara prej saj. Në mbledhjen e 31 janarit 2008, KLD-ja deklaroi se Gjinovefa Gaba: "ka cenuar rëndë imazhin dhe integritetin e gjyqësorit me abuzimet dhe shkeljet që ishin gjetur në Apelin e Vlorës dhe dosjet e shqyrtuara prej saj". Me këtë argument, KLD vendosi me shumicë votash nga anëtarët, shkarkimin e Gabës nga detyra për shkelje të rënda të ligjit. Menjëherë pas shkarkimit Gaba u padit në prokurori, ndërsa ajo dhe ish-vartësit e saj të shkarkuar paraqitën rekurs në Kolegjet e Bashkuara kundër vendimit të KLD-së. Në verën e vitit që shkoi, Gjykata e Lartë nisi shqyrtimin e ankesës së Gabës, duke tentuar ta "rehabilitonte" në heshtje atë, në kohën kur pritej mbarimi i mandatit të shtatë anëtarëve të këtij institucioni. Gjykata e Lartë atëherë u shpreh se nuk kishte nevojë as për vendimin e zbardhur të KLD-së, madje as për përfundimin e hetimeve të prokurorisë, e cila kishte hapur dosje për falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre ndaj Gjinovefa Gabës. Gaba, ish-kryetarja e Apelit të Vlorës dhe dy ish-vartësit e saj, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, u shkarkuan njëri pas tjetrit në fund të janarit 2008, pasi u gjetën me shkelje të shumta që kishin kryer gjatë ushtrimit të detyrës së gjyqtarit nga qershori 2004 deri në qershor 2007, kur inspektorët e KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë kontrolluan dosjet e gjykuara prej tyre. Inspektorët gjetën si shkelje një vendim të firmosur nga tre gjyqtarët e shkarkuar, që mbante sipër një datë në të cilën ata ndodheshin në Maqedoni. Ndërkohë, më vonë këta kanë firmosur një tjetër vendim, që përkonte me një ditë të shtunë, që zyrtarisht ishte pushim për gjykatën. Në konkluzionet e paraqitura ministrit të Drejtësisë, të cilit iu sugjerua kërkesa për shkarkimin e tre gjyqtarëve nga inspektorët, pretendohej për gjetjen e 15 shkeljeve në vendimet e gjykuara nga Gaba, ndërkohë një pjesë e mirë e shkeljeve të saj ishin parashkruar, pasi kishte kaluar afati i kontrollit. fa.ma
“Mëkatet” e Gabës
- Falsifikim vendimesh gjyqësore
- 15 shkelje nga qershori 2004 në qershor 2007
- Paaftësi në ushtrimin e detyrës
- Dhënie vendimesh sipërfaqësore
- Abuzim me ligjin
- Keqinterpretim i legjislacionit penal
- Mosadministrim i dokumentacionit të gjykatës
- Shkelje të procedurave me shortin e gjykatës