Depresioni, vetëvaret me çarçaf 35-vjeçari
TIRANE - Një 35-vjeçar i dha fund jetës duke u vetëvarur me çarçaf. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 17:00, në lagjen Laprakë të Tiranës. Renato Latifi, me origjinë nga Lushnja dhe banues në kryeqytet, është gjetur i varur në shkallët e pallatit ku banonte, në katin e pestë të tij. Kanë qenë banorët e pallatit ata që kanë parë fqinjin e tyre të varur dhe kanë lajmëruar menjëherë familjarët e tij. Ata kanë njoftuar policinë e kryeqytetit dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Ata kanë konstatuar se bëhej fjalë për një vetëvrasje dhe 35-vjeçari kishte preferuar, që të realizonte aktin e vetëflijimit në shkallët e pallatit, për të mos u vënë re nga familjarët. Burime nga policia bënë të ditur se janë marrë në pyetje të afërmit e Renato Latifajt, të cilët kanë dhënë deklarimet e tyre rreth ngjarjes. Sipas tyre, mësohet se 35-vjeçari vuante prej disa muajsh nga depresioni, por asnjëherë më parë nuk kishte tentuar të kryente një veprim të tillë. Latifaj vetëm disa minuta para se të realizonte vetëvrasjen ndodhej në shtëpi, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Më pas ka dalë nga apartamenti pa u vënë re nga asnjë prej tyre duke marrë me vete edhe një çarçaf. Në korridorin e katit të pestë të pallatit ai e ka lidhur mjetin që do të kryente vetëflijimin në hekur të dritares dhe më pas është vetëvarur. Sipas dëshmive të familjarëve të tij, që kanë dhënë para oficerëve të policisë, mësohet se i riu nuk ka lënë asnjë letër që të shpjegonte veprimin që ka kryer. Gjithçka për ta mbetet në mister dhe deri tani si shkak për ngjarjen e rëndë ata mendojnë se ka qenë depresioni që ai po kalonte muajt e fundit. Gjithashtu, në polici kanë dhënë deklarime edhe fqinjët e Renato Latifajt, të cilët e kanë parë të varur teksa po shkonin në shtëpinë e tyre. Ata kanë deklaruar se janë shokuar në momentin që kanë parë 35-vjeçarin e varur dhe me aq sa kanë mundur të dallojnë ai nuk kishte asnjë shenjë jete. Trupi i pajetë i të riut i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, nga ku ka rezultuar se vdekja e tij ka ardhur nga asfiksia. Gjithashtu, një grup i posaçëm hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve që e kanë çuar Latifajn deri në vetëvrasje, ndërkohë që deri tani dyshohet se shkak kryesor ka qenë vetëm depresioni.