E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, në 1 muaj mbërrijnë 3200 turistë të huaj në qytet

 

SARANDE - Prej nisjes së sezonit turistik në Sarandë, numrit të madh të vizitorëve vendas po i shtohen çdo ditë turistët e huaj që mbërrijnë me kroçiera e anije. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07:30 në portin e qytetit është ankoruar veliera "Panorama". Eshtë hera e parë që veliera "Panorama" vjen në qytetin e Sarandës, e realizuar kjo nëpërmjet agjencisë turistike "Enea speed". Ajo është nisur nga porti i Itakës në Greqi dhe kishte në bord 39 turistë, kryesisht amerikanë. Edhe një tjetër anije turistike, ajo "Europa", ka prekur brigjet e Sarandës rreth orës 09:30 të ditës së djeshme, pas realizimit nga agjencia "Shkëndija-Travel". Plot 363 turistë amerikanë, anglezë, kryesisht të moshës së tretë, të nisur nga porti Iskia në Itali i janë shtuar numrit të vizitorëve të huaj ditën e djeshme. Prej muajit prill në qytetin e Sarandës kanë ardhur 3200 turistë të huaj. Problemi kryesor që është shfaqur vitet e fundit për vizitorët e Sarandës është rruga që të çon drejt qytetit antik të Butrintit. Mungesa e investimit në këtë pjesë bëri që fundjavën e shkuar qindra vetë të bllokohen për disa orë. Butrinti është destinacioni kryesor i të gjithë turistëve që vijnë në bregdetin e jugut.                           sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›