E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Futja e teksteve të përkthyera cenon reformën e altertekstit”

 

“Vendimi i fundit i Ministrisë së Arsimit cenon rëndë reformën e altertekstit”. Kështu e ka komentuar dje dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë futjen e teksteve të përkthyera për vitin e ardhshëm shkollor. “Nuk mund të marrë një vendim Ministria e Arsimit dhe të ngrejë grupe sepse roli i Ministrisë së Arsimit është një rol arbitri, që ka për detyrë të gjykojë nëpërmjet grupit të ekspertëve tekstet. Nëse këto tekste të përkthyera do të zëvendësojnë ato aktuale dhe do të jenë unike. Kjo është një kundërvënie e hapur e reformës së altertekstit” tha Rrokaj. Sipas tij, vendimi për të përkthyer tekste të huaja dhe për t’i futur  në arsimin parauniversitar është një nismë e mirë, por duhet t’ju lihet në dorë shtëpive botuese në vend. “Nuk mendoj se është e drejtë të fillohet me përkthime tekstesh vetëm në shkollën e mesme, pasi siç e dini programet kanë një vazhdimësi dhe ato fillojnë që nga klasa e parë dhe deri vitin e fundit të shkollës së mesme, prandaj duhet konceptuar një program tërësor për të mos krijuar thyerje nga sasia e informacionit që jepet në shkollën e mesme me atë që jepet deri në sistemin 9-vjeçar” nënvizoi dekani.
Pak ditë më parë Ministria e Arsimit, nëpërmjet një bordi të ngritur pranë saj ka vendosur që të përkthejë katër tekste të huaja dhe t’i fusë në përdorim për vitin e parë gjimnaz. Bëhet fjalë për matematikën, kiminë, biologjinë dhe fizikën. Këto tekste do të përkthehen nga Italia. “Tekstet e marra nga Italia nuk do të kenë libra të tjerë konkurrentë në treg. Janë përzgjedhur tekstet e këtij shteti, pasi specialistët i vlerësuan si më cilësore e më të asimilueshme”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Ky projekt do të ndërpresë për një vit reformën e shumëpërfolur të altertekstit. MASH pranon se teksteve të autorëve shqiptarë u mungon cilësia. Ato janë me probleme e deri dhe gabime shkencore. Nga sa bëhet me dije, ekskluzivitetin e këtyre teksteve e kanë marrë shtëpitë botuese shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›