Durrës, spote në Ballkan për të tërhequr turistët
DURRES/ OERD ULQINI
Inaugurohet vetëm nga e majta sezoni turistik në Durrës. Në ceremoninë e rastit munguan jo vetëm të deleguarit e Ministrisë së Kulturës, por edhe krerët vendorë të Qarkut dhe të Prefekturës Durrës-Krujë. Përpara qindra të rinjve, Vangjush Dako premtoi se do ta shndërrojë Durrësin në kryeqytetin e turizmit shqiptar. Me këtë rast bashkia kishte organizuar një sërë aktivitetesh si dhe një program artistik, të cilat startuan në sektorin "Iliria" për të përfunduar në qendër të qytetit. Durrësi këtë vit do të shpalosë kulturën dhe vlerat historike të një prej qyteteve më antike të Ballkanit. Në strategjinë e Bashkisë është parashikuar edhe transmetimi i dy spoteve turistike, enkas për Durrësin, të cilat do të transmetohen në dy televizione të zgjedhura të Ballkanit. Por Dako nuk zbuloi emrat e transmetuesve televizivë. "Rritja e turizmit do të jetë e drejtuar dhe e mbështetur nga një marketing i ndërgjegjshëm, nga një plan krijues i produkteve, nga një infrastrukturë e përshtatshme, nga burime njerëzore të cilësisë së lartë dhe nga një 'klimë biznesi' e turizmit me rregulla të qarta loje", u tha në ceremoninë inauguruese.
Por dhe për sezonin "verë 2009", shumica e parcelave të rërës në plazhin e Durrësit do të jenë vetëm për ata që paguajnë. Burimet e brendshme nga bashkia saktësojnë se nga 17 hektarë që është sipërfaqja totale e plazhit nga "Teuta" e deri tek "Iliria", 60% e saj do të mbulohet nga çadrat dhe shezllonet private. Pjesa e mbetur prej 40% e sipërfaqes do të vihet në dispozicion të plazhit publik. Por ajo çka është më e rëndësishmja është fakti se plazhi privat do të rrëmbejë parcelat preferenciale të gjirit të Durrësit, ndërsa zona të lira ku plazhi bëhet falas do të jenë ato më të ndoturat, të cilat ndodhen ngjitur me gurët rrethues të portit. Ndryshe nga sa u tha në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, se raporti i plazhit publik me atë privat do të jetë i barabartë, aplikimet e shumë të interesuarve si dhe dëshira për të rritur të ardhurat në buxhet, do të dëmtojnë sërish shtresën më të varfër të pushuesve, që nuk ka para për ta "blerë" një ditë plazh me 300-400 lekë të reja. Në qytetin e Durrësit dhe në bregdet operojnë 82 hotele të licencuara, të cilat do të jenë në dispozicion të pushuesve. Gjatë ceremonisë së djeshme nuk u përmend fakti se si do të jenë tarifat e shërbimeve dhe nëse ato do të pësojnë rritje. Po për drejtuesit lokalë, e rëndësishme është të ketë cilësi në shërbimet për turistët vendas e të huaj që do të preferojnë Durrësin këtë sezon.
Higjiena dezinfekton ambientet publike
Temperaturat tropikale që do të pushtojnë Durrësin, gjatë sezonit veror 2009 vënë në alarm institucionet. Në bazë të prognozës pritet që i nxehti në muajt qershor-korrik dhe gusht të jetë saharian, duke kapur vlerën 40 e më tepër gradë celsius. Ky parashikim i meteorologëve sjell alarm të kuq përsa i përket mbajtjes nën kontroll të infeksioneve bakteriale dhe virale. Për të shmangur shumimin e kolonive bakteriale janë dezinfektuar me urgjencë 25 mijë metra katrorë në plazhe, duke pasur si kriter zbatimin e normës 0.08 litër medikament për 100 metra katrorë. Në shënjestër të higjienistëve ka qenë trekëndëshi Port-Bërryl-Currila, ku dezinfektimi është mbyllur. Veç disa zonave shumë të frekuentuara në qytet si Amfiteatri, Stacioni i Trenit etj., të cilat i janë nënshtruar dezinfektimit, me prioritet po shihen pusetat, gropat septike dhe kanalet e ujërave të zeza që derdhen në plazhe. Alarmi se kjo verë mund të sjellë bashkë me turizmin edhe infeksione afrikane si malaria etj., sëmundje mjaft të rrezikshme ka bërë që edhe tani në muajin maj të nisë fushata dezinfektuese. Mungesa e banjave publike në plazhin e Durrësit, kërkon ndërgjegje qytetare, për të mos e trajtuar detin si WC.