Kukës, tunelit i mbeten vetëm 50 m
KUKES - Kanë mbetur vetëm 50 metër për të përfunduar njëra prej galerive të tunelit të Kalimashit, vepra më e rëndësishme dhe më e vështirë e gjithë korridorit Durrës-Kukës-Prishtinë. Burime nga firma zbatuese e projektit thonë se janë 25 m nga portali verior dhe 25 nga ai jugor dhe pritet që më 24 maj punonjësit dhe specialistët të takohen në thellësinë e tunelit, pas një pune që ka zgjatur për rreth 26 muaj. Ndërsa në galerinë tjetër kanë mbetur dhe 140 metër për të përfunduar plotësisht hapjen e tij. Specialistët e konsorciumit amerikano-turk "Bechtel Enka" kanë avancuar dhe me punimet e tjera, si betonimi, ajrimi, sistemimi i sigurisë dhe gjithë aksesorët e tjerë deri 300 m larg vendit ku gërmohet. Afrimi i mëtejshëm është teknikisht i palejuar, sepse ka tronditje nga gërmimet. Pas hapjes së tunelit do të bëhet edhe asfaltimi dhe pritet që në fund të qershorit njëra galeri me dy kalime të jetë gati. I gjithë tuneli është i gjatë 5.5 km, me 2 galeri dykalimëshe. Këto ditë janë bërë dhe provat e para të linjës së tensionit të lartë që furnizon tunelin pa ndërprerje me drita nga nënstacioni elektrik i Kalimashit në atë të ngritur në hyrje të tunelit.
Burime nga firma turke "Enka" bëjnë të ditur se në ditët e shpimit të galerisë pritet që të vijë nga Turqia dhe presidenti i firmës, Sharah Tarif. Në bazë të traditës, pritet që atë ditë të bëhen kurban rreth 25 qengja, të cilat janë bërë dhe në çdo themel të urave dhe bazamenteve të rrugës për një ecuri të mbarë dhe pa probleme. Ceremonia e përurimit të tunelit pritet të mbahet një ditë para mbarimit të fushatës elektorale dhe shiriti i hapjes së tunelit do të pritet nga kryeministri Berisha. Po kreu i qeverisë në shkurt të vitit 2007 shpërtheu minën e parë që simbolizoi nisjen e punës për hapjen e tunelit. j.h