Alarmi, para të falsifikuara në qytet
FIER - Para false në tregun e Fierit. Dyshimet kanë nisur që prej 6 muajsh, por ende hetuesit e antikrimit ekonomik nuk kanë rënë në gjurmët e burimit të tyre. Ata dyshojnë se një pajisje e siguruar në Bullgari, e cila falsifikon në mënyrë të sofistikuar paratë, kryesisht të prerjeve 500 dhe 1 mijë lekëshe. Edhe pse është bërë një punë disa mujore për bllokimin e kartëmonedhave false në qytetin e Fierit, sërish ky problem vazhdon të mbetet evident. Ky fakt ka alarmuar më së shumti vetë qytetarët, të cilët kërkojnë më tepër siguri nga ana e organeve kompetente. Qarkullimi i kartëmonedhave false në qytetin e Fierit shpesh herë ka vënë në alarm strukturat e policisë dhe Shërbimit Informativ, por mesa duket ky fenomen nuk mund të goditet plotësisht. Pak kohë më parë, në Fier nisën dyshimet për hyrjen e një makinerie të sofistikuar dhe kjo mendohej se ishte blerë në Bullgari. Policia i mban të fshehta të dhënat e hetimit, deri në zbardhjen e plotë të skemës së funksionimit. Po të njëjtat burime deklarojnë se janë shoqëruar disa persona gjatë vitit 2008, por ende nuk ka dalë një konkluzion të qartë dhe përfundimtar se ku prodhohen këto lekë. Kontrolli ka vijuar gjatë këtyre muajve në dyqane, pika të këmbimit valutor, por përveçse është kontrolluar për lekë, kontroll po ushtrohet edhe për letra të dyshimta, që mund të përdoren enkas për prodhim kartëmonedhash, së bashku me materialet e tjera ndihmëse, si shirita sigurie, bojë etj. Ndërkohë mësohet se shumë njësi shitëse nuk kanë një mekanizëm, që të mund të identifikojë nëse kartëmonedhat janë false apo jo. Përballë këtij fakti në sitën e bluve fierake gjatë këtij viti kanë kaluar me shumë se 100 persona, të cilët janë marrë në pyetje. Në këtë kategori bëjnë pjesë dhe ata persona, të cilët janë të dokumentuar se ushtrojnë aktivitet privat për këmbim valute. m.r