E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, krizë ilaçesh në spital

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Për t'u shtruar në spitalin e Korçës pacientëve u duhet të marrin me vete edhe medikamentet më elementare. Shiringat, pambuku, alkooli, antibiotikët e mjaft ilaçe të tjera mungojnë. Bluzat e bardha ngrenë supet kur i pyet për këtë situatë. Dy javë më parë, rreth 30 mjekë firmosën një peticion drejtuar ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, me anë të së cilës i bënin me dije problematikën dhe i kërkonin të ndërhynte sa më parë. Por dje, mjekët e spitalit të Korçës pohuan, se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga ministria. Ata pohojnë se nuk dinë se si t'i sqarojnë pacientët, të cilët ndoshta me të drejtë, janë të detyruar të bëhen "armiqësorë" karshi tyre, duke dyshuar se ata i fshehin vetë ilaçet. Mungesa e medikamenteve është një alarm që ka nisur prej më shumë se tre muajsh. Përfituesit e kësaj situare, më shumë se kushdo, janë farmacitë. Të sëmurët nëpër pavijone ankohen për çmimet e rritura kohët e fundit nëpër farmaci, për të njëjtat medikamente që ata merrnin edhe më parë. Mjekët pohojnë se spitali është në krizë, pasi mungojnë materialet bazë për të kryer çdo shërbim. Pacientët e të gjithë pavijoneve kurohen me ilaçet, që i blejnë vetë sipas recetave që lëshojnë mjekët. Të vënë në një vështirësi të tillë nuk janë të pakta rastet kur mjekët konfliktohen me pacientët dhe familjarët e tyre. Në raste të veçanta ata edhe fyen, duke u akuzuar se janë të korruptuar dhe se duhet t'u japësh lekë që të të kryejnë shërbimin. Një nga pacientët e pavijonit të Patologjisë pohoi se: "Kam tre ditë që jam shtruar në spital dhe deri tani kam paguar 6500 lekë të reja vetëm për ilaçet. Këtu nuk ka asgjë. Kam blerë vetë shiringat dhe pambukun. As alkool nuk ka", tha ai. Ndërsa Thoma Tili, i sëmurë kardiak u shpreh i frikësuar për situatën e krijuar. "Për ne ilaçet duhet të jenë në spital, se nuk dihet se kur na krijohen shqetësime". Kriza e medikamenteve pranohet edhe nga titullarët e spitalit. Sipas tyre situata sa vjen e po rëndohet, ndërkohë që nga ministria nuk kanë munguar premtimet se medikamentet dhe gjithçka tjetër që u nevojiten do t'u vijnë me maune nga dita në ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›