E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshen-Morinë, dosja në gjyq

 

Trazhgim Sokolaj

Pesë zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve përballen me akuzën "shkelje të barazisë në tendera", në një dosje penale të hapur pas kallëzimit të Kontrollit të Shtetit, lidhur me rrugën Durrës-Kukës. Skënder Çota, zv.drejtor i Drejtorisë së Rrugëve, Mimoza Prushi, Natasha Saliaj, Niko Mihali dhe Petraq Duka, punonjës të Drejtorisë së Rrugëve në Ministrinë e Transporteve, janë dërguar të pandehur në gjykatë pas hetimeve të prokurorisë mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Dosja penale nr. 2183, e cila bën fjalë për një dëm të shkaktuar shtetit në vlerën e 55 milionë lekëve të reja, është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës më 6 nëntor 2008 dhe sipas shortit, do të shqyrtohet nga gjyqtari Altin Abdiu. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se abuzimi ka ndodhur për pjesën që i takon segmentit Rrëshen-Kalimash-Morinë. Organi i akuzës, konfirmoi se dosja penale është regjistruar në hetim në janar 2008, pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kontrolli
Me një raport të veçantë kontrolli për Drejtorinë e Rrugëve në Ministrinë e Transporteve, inspektorët e KLSH-së kanë konstatuar, se abuzimi në vlerën e llogaritur 57 milionë lekë është kryer me shkelje në fushën e tatim-taksave, konkretisht nga mosmbajtja e ndalesave të tatimit mbi të ardhurat për projektuesin e segmentit Rrëshen-Kalimash-Morinë". Prokuroria e Tiranës, e cila ka hetuar këtë çështje të ndarë nga dosja tjetër, që ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme, tha se pas kontrolleve të KLSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve në Tiranë, ka marrë 2 kallëzime penale. "Në këto kallëzime janë përfshirë 5 persona, për të cilët është kërkuar të hetohen për veprën penale "shpërdorim detyre", me pasojë një dëm ekonomik prej rreth 55 milionë lekësh të reja shkaktuar shtetit", thuhet në materialin e KLSH-së. Ndërkaq gjatë hetimeve të saj, prokuroria e ka ndryshuar kualifikimin e akuzës për pesë të pandehurit, duke i akuzuar ata për "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera".
Hetimi
Nga të dhënat e hetimit, mësohet se veprimet e pesë zyrtarëve të Rrugëve për të cilat ata akuzohen, janë kryer në periudhën kohore 1 janar 2005 deri më 31 dhjetor 2006. Një fakt i tillë u zbulua nga shqyrtimi i dokumenteve të firmosura prej tyre, ku është vënë re edhe data e secilës shkresë. Sipas grupit të hetimit, pesë zyrtarët kanë konsumuar elementët e veprës penale në veprimet, që kanë kryer gjatë detyrës së tyre, me rastin e ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash-Morinë, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, më saktë loti i tretë i kësaj vepre gjigante. Prokuroria tha se 55 milionë lekë është shuma financiare, që të akuzuarit duhej të kishin mbajtur në vlerën e tatimit mbi fitimin nga firma e kontraktuar. Sipas Pro-kurorisë, subjekti është favorizuar në këtë mënyrë jo vetëm pasi është shpallur fitues, por edhe në fazën e konkurrimit, duke shkelur kështu barazinë e pjesëmarrësve në këtë fazë kualifikuese.

Të akuzuarit

    1. Skënder Çota,
         zv.drejtor i
         Drejtorisë
        së Rrugëve

   2. Mimoza Prushi
   3. Natasha Saliaj
   4. Niko Mihali
   5. Petraq Duka

Akuza:
Shkelje e barazisë
së pjesëmarrësve
në tendera

Prokuroria: Plotësuam kallëzimin e KLSH-së

TIRANE - Rasti i pesë zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve është një nga dosjet e rralla, që Prokuroria dërgon në gjykatë me kallëzim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ky institucion dhe prokuroria, historikisht kanë pasur një handikap mes tyre për shkak se raportet e kontrollit dhe evidentimi i abuzimeve nga KLSH, bëhej kohë pasi ishte kryer shkelja apo ishte shkaktuar dëmi. Praktika e KLSH-së është e tillë që në momentin kur zhvillohet kontrolli verifikohen veprimet e bëra gjatë viteve paraardhëse. Më pas, paraqitet raporti në Prokurori por hetuesit nuk kanë mundësi të bëjnë hetime shtesë në kohën që ndodh abuzimi, ndërsa raportet janë të argumentuara nga ana financiare, por kanë mangësi në aspektin ligjor procedural.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›