Banorët e Nivicës shkatërrojnë makineritë e kompanisë "Riviera"
SARANDE - Banorët e fshatit Nivicë paditen në Prokurorinë e Sarandës për shkatërrimin e mjeteve të kompanisë "Riviera". Pas protestave të nisura ditët e fundit, me pretendimin mbi pronësinë e tokës, dje situata ka degraduar në dhunë e kërcënime fizike. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, e cila synon të ndërtojë në zonën bregdetare të Kakomesë një fshat turistik modern, rreth 15 persona ishin shkaktarët e ngjarjes së djeshme. "Gjithçka ka nisur rreth orës 11:00, kur mjetet e kompanisë "Riviera" u sulmuan nga një grup i madh personash, banorë të fshatit Nivicë, të kryesuar nga kryekomunari Vladimir Kumi", pohuan burimet. Ata shtuan se, veç sulmit të mjeteve të kompanisë, dhuna u shoqërua me thyerje dhe kanosje ndaj jetës së punonjësve. Për këto akte janë kryer veprimet e para dhe çështja është dërguar në Prokurorinë e Sarandës për hetime të mëtejshme. Konflikti mes banorëve dhe kompanisë "Riviera" u rikthyen sërish ditë më parë, kur mjetet nisën hapjen e rrugës deri në bregdet. Kjo përplasje ndodh prej vitit 2004, kur u bë i njohur projekti për fshatin turistik nga kompania "Riviera", në bashkëpunim me kompaninë më të madhe në botë të turizmit "Club Med" dhe me partnerë amerikanë. Pretendimet e banorëve janë rrëzuar vitin e shkuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila pas analizimit doli në vendimin se: "Asnjë banori nuk i njihej pronësia, pasi dhe në dokumentet arkivorë para monizmit rezulton, se fshati ku ata banojnë është pjesërisht i sekuestruar për mospagim detyrimesh tatimore nga administrata mbretërore".