E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi për bombë, shkakton panik në Ministrinë e Arsimit

Prishtinë-Një paralajmërim për bombë në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, ka vënë në alarm policinë në Prishtinë, por edhe të gjithë punonjësit e ministrisë në fjalë. Megjithatë, gjithçka ka rezultuar lajm i rremë, pasi pas kontrollit nga njësitë e specializuara nuk është gjetur asnjë material shpërthyes. Lajmi për bombë është dërguar me email, i cili ishte shkruar në gjuhën shqipe me shumë gabime gjuhësore, ka shkaktuar panik në të gjithë stafin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka, ka bërë të ditur se njësitet e specializuara të policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes duke e kontrolluar në detaje objektin, me ç’rast është konstatuar se alarmi ishte i rrejshëm.

“Kemi të bëjmë me një alarm të rrejshëm, ndërkohë njësiti kundër krimeve kompjuterike menjëherë ka filluar procedurën hetimore për të shikuar prejardhjen e këtij email-i kërcënues, që do të shikohet se a ka ndonjë lidhshmëri edhe me email-in që kemi pranuar javën e kaluar për vendosjen e tri mjeteve shpërthyese të vendosura në Qeveri, Ministri të Shërbimeve publike etj.”, tha zëdhënësi Beka.

Deri më tani nuk ka të arrestuar apo të dyshuar, por hetimet po vazhdojnë me intensitet të lartë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›