E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi për ndotje toksike nxjerr blof antiterrorin

Specialistë të seksionit kundër akteve terroriste në Drejtorisë e Policisë së Qarkut Elbasan, duket se kanë ngatërruar pesticidet me filtrat prej qeramike për pastrimin e oxhaqeve industriale. Ky është konkluzioni që del pas nxjerrjes së komunikatës së dy ditëve më parë për "zbulimin" e 112 kuintalëve lëndësh toksike, për të cilat një person është arrestuar dhe tjetri është shpallur në kërkim. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se ka nisur procedimi penal në ngarkim të 42-vjeçarit Baftjar Ruka me banim në Tiranë dhe Lulëzim Gjoci, po 42 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në lagjen "5 Maji" në Elbasan. Konkretisht në komunikatën e shpërndarë për shtyp thuhet se: "Të dy shtetasit e lartpërmendur kanë depozituar në një magazinë të Ndërmarrjes së Furnizim-Ndërtimit në fshatin Labinot-Fushë, Elbasan, një sasi të konsiderueshme materiali, që dyshohet të jetë lëndë toksike e ambalazhuar në 56 fuçi nga 2 kuintalë secila". Nuk ka qenë shumë e vështirë për të hequr dyshimin e policisë për lëndë toksike, pasi mund të dallohet mjaft mirë se në këto fuçi kishte rruaza prej qeramike, që aktualisht përdoren si filtra zjarrdurues të pastrimit të oxhaqeve industriale. Këto copëza qeramike janë përdorur dikur, por dhe tani për veshjen e rezistencave elektrike që përdoren rëndom si furnela elektrike, furra pjekjeje shtëpiake apo edhe hekura hekurosje me rezistenca.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›