E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për ujin, dy komuna përplasen në dyert e gjykatës

Sherri për një burim uji ka përplasur në dyert e gjykatës dy njësi vendore në rrethin e Bulqizës. Kështu, prej më se një viti komunat Trebisht dhe Ostren, janë konfliktuar, pasi kjo e dyta kërkon të ndërtojë një ujësjellës me vendburim uji në pronësi të Komunës Trebisht. Kryetari i komunës së kësaj të fundit, Fitim Balla, thotë për "Shqip" se marrja e ujit me vendburim në malin e Raduçit, një pikë e njohur turistike malore në kufi me Maqedoninë, cenon rëndë dhe drejtpërdrejt komunitetin e Trebishtit, pronë e të cilit është ky burim uji, pasi ai përdoret nga banorët jo vetëm për ujë të pijshëm, por edhe për vaditjen e tokës. "Ndërtimi i këtij ujësjellësi do të bëjë që banorët e Komunës Trebisht të thahen për pikën e ujit, ndërkohë që natyra ua ka falur atyre këtë burim", thotë kryekomunari. Ndërkaq, nisja e punimeve nga ana e Komunës Ostren për ndërtimin e këtij ujësjellësi, në mënyrë të njëanshme, ka çuar në përplasje të forta mes këtyre dy komunave fqinje në zonën e Gollobordës, që shpesh kanë bllokuar edhe punimet, duke bërë që ata të vazhdojnë vetëm në territorin e Komunës së Ostrenit, pa mundur ende të dalin në territorin e Komunës Trebisht. Për të disatën herë, banorët e Trebishtit kanë protestuar për marrjen e ujit të tyre. "Duke parë se përpjekjet tona për zgjidhjen e këtij problemi me anë të dialogut me komunën fqinje të Ostrenit nuk po gjente mirëkuptimin e duhur, atëherë u detyruam t‘i drejtohemi Gjykatës Dibër, për zgjidhjen e këtij konflikti", thotë kryekomunari Balla. Ndërkohë, po sipas tij mësohet se për këtë problem janë njoftuar edhe Prefektura Dibër, Ministria e Transporteve dhe deri Kryeministri Berisha, por ende nuk është dhënë zgjidhja e duhur.

Hy.Li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›