E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, për një vit 13 mijë tumore

 

zirina llambro

Tumoret, sëmundjet mendore dhe anomalitë e lindura, janë diagnozat që për vitin e kaluar kanë pësuar rritje të ndjeshme. Për 2008 në QSU ka pasur 13 000 shtrime të të sëmurëve me kancer. Shifër kjo e frikshme, po të mendosh që pjesa më e madhe e tyre drejtohen në spital në stad shumë të avancuar të sëmundjes. Çka do të thotë se shanset për të jetuar janë të pakta. Gjithashtu 1186 persona janë shtruar me probleme të ndryshme mendore, nga rreth 700 që ishin në 2007. Rritje kanë pësuar edhe anomalitë e lindura, të cilat për vitin që lamë pas kanë regjistruar rreth 1161 raste. Të shumta kanë qenë edhe helmimet, me rreth 3000 pacientë. Sipas Drejtoreshës së Spitalit, Gjoergjina, një problematikë mjaft e mprehtë mbeten edhe konsultat. "Nga rreth 800 mijë konsulta, vetëm 90 mijë janë të mandatuara, çka do të thotë se mbetet shumë për t'u bërë në zbatimin e sistemit të referimit", tha Kuli. Sipas saj, për rrjedhojë edhe të ardhurat dytësore nga konsultat nuk kanë qenë shumë të larta. Ato arrijnë në 16 milionë lekë, prej të cilave vetëm 10% janë përdorur nga QSU. Sakaq administrata vijon të mbetet e fryrë. Mbi strukturë janë plot 84 punonjës. Numri i personave që paguhen me paratë e spitalit është gati i njëjtë me atë të mjekëve. Çka tingëllon jo normale, për çdo qendër spitalore e çfarëdo përmase qoftë ajo. Te "Nënë Tereza" ushtrojnë aktivitetin 299 mjekë, ndërsa në administratë ka plot 84 punonjës. "Në shtator të 2008, ne e gjetëm administratën me rreth 148 punonjës tepër. Të punësuar për arsye të ndryshme. Paskësaj u pezulluan nga detyra 84 vetë. Aktualisht mbi strukturë kemi 84 punonjës më shumë, por që nuk mund të shkarkohen, pasi bëhet fjalë për sanitare e persona që kanë nevojë për këtë pagë, e veç kësaj struktura tashmë është e miratuar", sqaroi drejtoresha. Nga ana tjetër, ajo pohoi se megjithëse spitali ka shlyer pjesën më të madhe të borxheve, që arrin deri në mbi 400 milionë lekë, sërish u detyrohet firmave dhe subjekteve private rreth 10 milionë lekë. Tenderët për blerjen e aparaturave dhe medikamenteve, për fat të mirë, kanë arritur të mbyllen në kohë. "Këtë vit synojmë më shumë investime në aparatura e infrastrukturë, kriza tashmë ka kaluar dhe mendojmë se puna në spital do të ecë më mirë se në të shkuarën", nënvizoi Gjerogjina Kuli. Sa i përket kostove për pacientët, rritje ka shënuar shërbimi i onkologjisë, por edhe ai i psikiatrisë, kjo për shkak të ditëqëndrimit të lartë në këtë spital.

Të shtruarit brenda vitit, 51 mijë vetë

Plot 51 mijë pacientë janë shtruar në Spitalin "Nënë Tereza" gjatë vitit 2008. Pjesa më e madhe e tyre nga rrethet. Ky fakt dëshmon se QSU mbulon pjesën më të madhe të shërbimit shëndetësor në rang vendit. Sistemi i referimit nuk zbatohet, spitalet e rretheve i dërgojnë drejt Tiranës edhe për problemin më të vogël. Ndërhyrjet kirurgjikale në qytetet e tjera të vendit janë thuajse të papërfillshme. Për rrjedhojë me gjithë misionin që ka një qendër spitalore universitare, për t'u përqendruar edhe në kërkimin shkencor, mjekët nuk kanë kohë të mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë. QSU është kthyer në një poliklinikë gjigandë për pacientët anë e kënd vendit. Më reformën e re, sipas drejtuesve të shëndetësisë, kjo situatë pritet të ndryshojë. Ajo ka nisur tashmë zbatimin e frytet mbeten për t'u parë në vijim

Analiza vjetore e QSU, në 2008 spitali në kolaps

zirina llambro

Mirëfilli një analizë vjetore me gjithë problematikat e saj. Sigurisht me tone të zbutura por dhe me situata kritike që më në fund janë pranuar hapur.
Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", prezantoi dje përpara mediave bilancin vjetor të QSU, për vitin 2008. Përpos asaj që dihej, pati statistika e shifra jo pak suprizuese. "Në shtator ne u përballëm me një kolaps të vërtetë, sidomos për mungesën e ilaçeve e pajisjeve mjekësore. Mungonin që nga betadina, dorezat plastike, fashot, oksigjeni, për të mos folur për medikamente të tjera më të rëndësishme. Rreth 3/4 e farmacive ishin në nivele zero", u shpreh Kuli. Ajo shtoi se përkundër kësaj fondi, për blerjen e barnave ishte parashikuar në rreth 1.4 milionë dollarë.  "Në fund të vitit, me sforco arritëm që për blerjen e ilaçeve të realizojmë deri në masën 138%, pra duke kapur vlerën e 2 miliardë lekëve", nënvizoi Drejtoresha. Por pa sqaruar mbeti fakti për datat e furnizimit me medikamente. Kjo pasi QSU në kolaps i bie të ketë qenë gjatë gjithë vitit të shkuar, pasi tenderët u mbyllën në fund të dhjetorit dhe shumë prej furnizimeve ende nuk kanë mbërritur. Gjithsesi ajo që të gjithë më në fund vërtetuan është se nga buxheti i shtetit nuk kanë munguar fondet për spitalin më të madh në vend. E këtë vit, po t'i referohesh sasisë së ilaçeve që nuk është blerë, i bie që të ketë ilaçe me bollëk, pasi do jenë dy furnizime bashkë.  Duke vijuar me të dhënat Drejtoresha e QSU bëri me dije se për vitin që lamë pas, ditëqëndrimi mesatar i pacientëve ka qenë 6.6 ditë, thuajse i njëjtë me 2007. Shfrytëzimi i shtretërve ka pësuar një ulje prej 4% çka do të thotë se qarkullimi i tyre nuk ka qenë i mirë. Ky shfrytëzim për 2007 ishte 74% ndërsa vitin e kaluar ka arritur në 70 për qind. Sa i përket vdekjeve, brenda ambienteve të QSU, ato kanë shënuar ulje. Nga statistikat rezulton se ka pasur 597 të tilla nga 658 vjet. Numri i më i lartë i vdekjeve ka qenë në reanimacionin e Kardiologjisë, çka sipas Drejtoreshës së Spitalit tregon se u është dhënë ndihma maksimale. "Në sallat e kirurgjisë, në Spitalin "Nënë Tereza" janë kryer më shumë se 18 200 operacione. Në këtë grup 56% e pacientëve të operuar janë nga rrethet ndërsa Tirana numëron 8000 të tillë", theksoi Kuli. Heqja e perdes në sy, apendiciti, varicet e më tej tumoret, kanë qenë operacionet më të shpeshta. Edhe për vitin që lamë pas, spitali më i madh në vend ka numëruar pak operacione të vështira e të reja. Ato vijojnë të kryhen jashtë vendit, kryesisht për mungesë infrastrukture. Nga studimi i kryer në sallat kirurgjikale, ka rezultuar se 23% e tyre kanë pasur ngarkesë të lartë mikrobike, kryesisht stafilokok.

Furnizimi me ilaçe

"Aktualisht në farmacinë e QSUT-së ndodhen gjendje 406 371 008 lekë medikamente", bëri me dije dje Drejtoresha e QSU, Gjeorgjina Kuli. Ajo shtoi se medikamentet, më 5 shtator të vitit 2008 ishin në shumën 209 484 779 lekë, ndërkohë që kriza u kapërcye nëpërmjet donacioneve (rreth 20 të tilla), ndihmës nga Ministria e Shëndetësisë dhe spitaleve të tjera. Më e çuditshmja ishte ndihma e Spitalit Ushtarak, i cili sipas vetë bluzave të bardha që punojnë në të ka mungesë të theksuar të ilaçeve. "Ky spital gjatë 2008 na ka ndihmuar shumë", tha Drejtoresha e QSU. Siç duket, kjo ndihmë ka qenë aq e madhe sa Spitali Ushtarak ka mbetur thuajse bosh për vete.   

Prezantohet projekti "Think green" me mbështetjen e bashkisë
Bashkia e Tiranës dhe dje mbështetjen e saj për projektin "Think Green" (Mendo gjelbër) nga skuadra "SIFE" (Studentët në Sipërmarrje të Lirë) e Universitetit të Tiranës. Ky projekt ka si synim sensibilizimin e grupmoshave të reja në fushën mjedisore të riciklimit të mbetjeve. "Jo vetëm unë, por dhe Bashkia e Tiranës jemi të interesuar të mbështesim këtë projekt, pasi këtu shohim një dritë shprese. Dritë kjo që duhet të përhapet kudo", tha Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Gjithashtu ai shtoi se  ky është një projekt që në dukje është i vogël, por në thelb është një projekt i madh. Kjo pasi ai ka qëllim  të ndryshojë cilësisht këndvështrimet e njerëzve për realitetin, raportin e njerëzve me realitetin, rolin e çdo individi për ruajtjen e mjedisit dhe shlyerjen e atij borxhi që secili prej atyre që jetojnë sot kanë ndaj atyre që do të vijnë nesër.

Studentët për diplomat e reja, bojkot mësimit për tri ditë
Studentet e Fakultetit, të Histori-Filologjisë dhe ata të Gjuhëve të Huaja, kanë vendosur të bojkotojnë mësimin për tri ditë me radhë. Nëse MASH nuk do të gjejë një zgjidhje, atëherë hapi tjetër, sipas tyre, do të jetë greva e urisë. Nga ana tjetër, Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrrokaj e cilëson këtë veprim të studentëve si të drejtë legjitime të tyre. Ndërkohë, ai u ka bërë apel partive politike, mos të politizojnë këtë çështje dhe Ministrisë së Arsimit që të mos i cilësojë diplomat e lëshuara para një viti si jo legjitime. Të njëjtin qëndrim ka edhe Rektori i UT, Shezai Rrokaj. Në lidhje me çështjen e diplomave të reja, ka reaguar një ditë më parë zv/ Ministrja e Arsimit, e cila ka kërkuar negocime, por nuk ka dhënë një zgjidhje konkrete sipas kërkesave të studentëve.

Bashkëpunim me USAID për shërbimin shëndetësor
Dy dokumente bazë "Korniza e zhvillimit të Mjekësisë së Familjes" dhe "Paketa Bazë e Shërbimeve në Kujdesin Shëndetësor Parësor". Me to synohet të përmirësohet cilësia dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor për qytetarët. Gjithçka, si pjesë të reformës në kujdesin shëndetësor parësor. Gjatë takimit të zhvilluar dje, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo dhe Drejtoresha e Misionit të USAID në Shqipëri, Roberta Mahoney, evidentuan përparimet e arritura në procesin e reformimit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri. Dy dokumentet e prezantuar dje ofrojnë sigurimin e një pakete gjithëpërfshirëse shërbimesh parandaluese dhe trajtuese për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit. Sipas tyre, banorëve të zonave urbane dhe rurale do t'u ofrohen edhe disa shërbime të kujdesit shëndetësor mendor dhe të shëndetit riprodhues, krahas informacionit të vazhdueshëm për sjellje dhe mënyra të jetës së shëndetshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›