Mat, dëshmitarët shtyjnë gjyqin për të akuzuarin për vrasje
TIRANE - Mungesa e dëshmitarëve shtyn gjyqin ndaj Luftar Reçit në Gjykatën e Matit. Bashkë me të, në akuzë për vrasjen e Maksim Lalës, 4 vjet më parë, ndodhet dhe nipi i tij, Taulant Elezi. Në seancën e djeshme ishin thirrur në cilësinë e dëshmitarit, M. Elezi, motra e Taulant Elezit, nipit të Recit, edhe ky nën akuzë për bashkëpunim në vrasjen e Lalës, Alban Hajdini dhe I.Vallja. Mbesa e Reçit u paraqit në seancë, por nuk pranoi të fliste. Sipas prokurorëve, Hajdini është dëshmitari kryesor i kësaj çështjeje, pasi mjeti në të cilin u gjet i djegur Maksim Lala, ishte pronë e tij. Gjykata e Matit konfirmoi se për paraqitjen e dëshmitarëve në këtë seancë kishte kërkuar ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorive Rajonale të Policisë të Qarqeve Tiranë e Dibër e Komisariatit nr.4. Bazuar në një shkresë zyrtare të këtij Komisariati, Alban Hajdini prej 3 vitesh ndodhet jashtë vendit, në Itali. Kështu ka deklaruar nëna e dëshmitarit kyç, sipas prokurorisë. Ndërkohë për dëshmitaren tjetër, I.Vallja, personi që ka komunikuar me telefon gjatë gjithë ditës së fundit të jetës me Maksim Lalën, ka informuar Gjykatën e Burrelit rreth vendndodhjes së saj. Mungesa e dëshmitarëve solli shqetësim te prokurorët, të cilët në argumentet e tyre thanë se së pari duhen bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e dëshmitarit kryesor të ngjarjes, Alban Hajdini. Policia gjyqësore duhet të vazhdojë kërkimet për të. Po sipas prokurorëve, nuk është e vërtetë se ai ka tre vjet që është larguar nga Shqipëria, pasi brenda këtij harku kohor është pyetur nga prokurorë të Krimeve të Rënda. Prokurori Sabri Kastrati tha se duhet të verifikohen hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë në pikat tona kufitare. Gjatë këtij procesi, Reçi dhe Elezi, të akuzuar për vrasjen dhe dëmtimin e kufomës së Maksim Lalës në vitin 2005, nuk kanë pranuar të mbrohen me avokat.