Grabitet nga kalata anija 15 m
DURRES/ OERD ULQINI
Shënohet akti i parë i piraterisë së anijeve në kohërat moderne. Një anije me flamur shqiptar është vje-dhur nga piratët, jo në lundrim e sipër, por në sterë ku ajo po riparohej. Ngjarja ka ndodhur në Portin e Durrësit, në një zonë të supersurvejuar me kamera vëzhguese dhe me struktura sigurie. Që prej tre ditësh, anija "Adriana" me kapacitet transportues 1.5 ton dhe gjatësi rreth 15 metra është zhdukur në ujëra të panjohura. Fatmir Abazi, i cili është njëherazi kapiten dhe pronar i saj, ka bërë një denoncim të vonë në policinë lokale, por askush nuk ka mundur dot ta lokalizojë mjetin lundrues. Policia e kufirit është vënë në lëvizje, por patrullimet e shumta në Gjirin e Durrësit nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Në fillim ka qenë vetë pronari, ai që ka kërkuar personalisht anijen, duke e patrulluar detin me mjete të tjera të siguruara falë miqësive me marinarët. Por pas tre ditëve të kota kërkimesh është detyruar ta denoncojë ngjarjen në polici. Hetuesit janë njoftuar me vonesë nga vetë pronari i anijes, kohë e cila ka qenë e vyer për piratët për të fshehur mjetin lundrues. Vjedhja spektakolare e anijes ka ndodhur në datën 25 janar, kur ajo po riparohej në kalatën lindore të Portit të Durrësit. "Adriana" ishte një anije peshkimi, e cila përdorej edhe për transport të lehtë. Ekuipazhi i saj përbëhej nga tre persona. Pronari 38-vjeçar Fatmir Abazi, banor i lagjes 16-të të Durrësit, i druhet faktit se mos anija ka përfunduar në ndonjë pjesë të humbur të bregdetit shqiptar, ku mund të transformohet dhe më pas shitet nga keqbërësit. Ndërkohë është ngritur edhe dyshimi se anija mund të jetë vjedhur në rrugë tokësore, duke e transportuar përmes ndonjë trajleri. Momentalisht po hetohen pistat e vjedhjes nga deti, përmes rimorkimit dhe nga toka. Nga hetimet e kryera rezulton se anija i kishte motorët me defekt, duke e shmangur pistën e daljes së saj në det, pa u tërhequr nga një tjetër mjet. Sipas pronarit, ai e kishte lënë anijen prej disa ditësh në atë zonë, me qëllim riparimin e motorit të dëmtuar dhe pastrimin e mjetit lundrues. Në pjesën ku kryhet riparimi i anijeve ka lëvizje të shumta, pasi njihet dhe si zona e Portit të Durrësit ku përpunohen mjetet e tonazhit të rëndë, kryesisht ato që transportojnë minerale. Menjëherë pas denoncimit, policia kufitare njofton se "kanë filluar veprimet e para hetimore për veprën penale të 'Vjedhjes' parashikuar nga neni 134 i K.Penal, dhe po punohet intensivisht për sqarimin dhe identifikimin e piratëve.