E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi në BE, asnjë votë “jo”

 

ADI SHKEMBI

Kuvendi miraton me konsensus rezolutën e aplikimit të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Me 91 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Parlamenti i ka dhënë OK draftit të paraqitur nga Komisioni i Jashtëm Parlamentar. Paralelisht me këtë, është hedhur poshtë propozimi i Komisionit të Integrimit për të përfshirë një paragraf, i cili detyronte qeverinë të paraqiste rezultate konkrete në Kuvend, para se të paraqesë kërkesën.
Rezoluta
Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, prezantoi dje para deputetëve fillimisht projekt rezolutën, e cila sipas tij është fryt i konsensusit politik. “Konsensualiteti politik dhe qytetar është forma dhe përmbajtja e aplikimit të Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat. Edhe këtë hap ne po e hedhim së bashku dorë për dorë shumica dhe opozita. Ky është edhe mesazhi që dëshirojmë të nënvizojmë për miqtë dhe partnerët tanë evropianë, me bindje dhe besim të plotë se dyert e Evropës janë të hapura për Shqipërinë dhe se Shqipëria do ta meritojë anëtarësimin në BE”, u shpreh Zogaj. Sipas tekstit të rezolutës, Kuvendi angazhohet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, më 28 qershor si dhe përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së. “Kuvendi ripërsërit gatishmërinë dhe vendosmërinë për vazhdimësinë dhe thellimin e punës tashmë të nisur për përafrimin e plotë të sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë me standardet dhe l’acquis communautaire të BE, duke vënë në themel të kësaj pune bashkëpunimin më të gjerë dhe afatgjatë mes partive të Shqipërisë. Kuvendi deklaron përkushtimin e tij për konsolidimin e vlerave të lirisë dhe të shtetit të së drejtës, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të diversitetit kulturor dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të çdo vendi”, thuhet në tekst. Gjithashtu Kuvendi inkurajon qeverinë që, në momentin e përshtatshëm në konsultim edhe me vendet anëtare të BE, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm dhe të raportojë për këtë në Kuvend për ecurinë e negociatave. Ajo që bie në sy në tekst është pikërisht fakti se Parlamenti nuk përcakton një datë brenda të cilës duhet të paraqitet kërkesa për statusin e vendit kandidat. Ndërkohë në variantin e parë të hartuar nga grupi i PD-së, ishte pikërisht muaji janar, ai brenda të cilit duhet të aplikojmë. “Kuvendi shpreson dhe mirëpret që Parlamenti Evropian, vendet anëtare dhe institucionet e tjera të BE, të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë dhe aspiratës së popullit të saj në lidhje me integrimin evropian, ashtu sikundër ato shprehen edhe në frymën e kësaj rezolute”, përfundon teksti i miratuar në Kuvend.
Komisioni i Integrimit
Por me miratimin e këtij teksti, janë rrëzuar përfundimisht edhe propozimet e Komisionit të Integrimit. Një ditë para votimit në Kuvend, ky komision kuvendor i bëri disa ndryshime dhe shtesa tekstit përfundimtar të rezolutës. Deputeti i PS-së, Taulant Balla kërkoi pak para votimit të rezolutës, që ajo të votohet me konsensus dhe të merren parasysh ndryshimet e bëra tek Integrimi. “Komisioni i Integrimit është Komisioni përgjegjës. Ne kemi një rezolutë tonën, propozoj që ta shtymë dhe ta miratojmë me konsensus brenda ditës së hënë, duke marrë parasysh edhe propozimet tona”, tha Balla. Sipas Komisionit të Integrimit, qeveria para se të paraqesë aplikimin duhet të çojë në Kuvend një program pune me afate konkrete për sa i përket zgjedhjeve, forcimit të kapaciteteve, intensifikimit të luftës kundër korrupsionit, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›