Qeveria: Do të rrisim çmimin e dritave
Në pasqyrën ekonomike të firmosur nga kryeministri, Ministri i Financave dhe Guvernatori, pranojnë para FMN se rritja ekonomike e 2008 parashikohet 6 për qind. Një shifër kjo plotë debate qeveritare por që akoma nuk mund të certifikohet zyrtarisht. Sidoqoftë, letra drejtuar FMN përmban disa angazhime serioze që prekin direkt popullatën. Drejtuesit e politikave monetare dhe fiskale të vendit, kanë premtuar se do të rritin çmimin e energjisë elektrike sikur kanë pohuar dështimin në realizimin e të ardhurave nga OSSH.
Letra
"Në vitin 2008, inflacioni ka mbetur i ulët dhe ka shënuar rritje në rreth 6 për qind. Deficiti i buxhetit ishte rreth 5.2 për qind i GDP-së, në përputhje me objektivin e programit. Ne presim dëmtime në ambientin e jashtëm me uljen e kërkesës për eksporte, ulje të parave të dërguara nga emigrantët si dhe shtrëngim të financimeve nga jashtë. Për shkak të ambientit aktual sfidues, qëllimi ynë parësor këtë vit është forcimi rrënjësor i ekonomisë dhe ulja e mëtejshme e cenueshmërisë." Një parashikim të çuditshëm, por real, ka bërë ministri Bode për realizimin e deficitit. Sipas tij, deficiti do të zbresë nën 4.2 për qind për shkak të mosrealizimit të projekteve me financim të huaj. "Ne mbetemi të angazhuar për një politikë të kujdesshme fiskale: buxheti i vitit 2009 parashikon një deficit të 4.2 për qind të GDP, e cila për shkak të vonesave të zakonshme të mobilizimit për projektet e financuara nga jashtë, pritet ta mbajë deficitin e fundvitit nën 4 për qind të GDP".
Taksat dhe energjia
"Ne po shtyjmë uljen e planifikuar të normës së kontributit për sigurime shoqërore, më 1 maj, dhe do të përshtatim tarifat e gjera të elektricitetit në nivelet e përfitimit të kostos; si hap i parë, ne i kemi kërkuar rregullatorit energjetik të llogarisë nivelin e kërkuar". Por energjia mbetet problemi kryesor të cilin qeveria pritet ta zgjidhë me privatizimin. "Të gjitha kriteret e performancave matëse dhe etapat strukturale të futura në program për inspektimin e gjashtë janë vëzhguar, me përjashtim të etapës së fund-tetorit për normën e mbledhjes efektive të konsumimit të elektricitetit. Synimi i 62 për qind për në fundin e nëntorit nuk u realizuar për 2 për qind pikë, nëse përjashtojmë nga llogaritja borxhet e prapambetura nga institucionet buxhetore dhe kompanitë publike e ujësjellësit që tani janë ndrequr. Kompania pritet të ketë arritur synimin e mbledhjes kolektive të fundvitit.
Privatizimi
Ne po bëjmë progres drejt privatizimit të kompanisë shpërndarëse të elektricitetit dhe jemi angazhuar të sigurojmë rimarrjen totale të tarifave të kostos për KESH. Ne presim që shpërndarësi privat të rrisë rendimentin dhe normën e grumbullimit efektiv në 82 për qind në vitin 2014. Procesi i privatizimit për kompaninë publike të sigurimeve, INSIG është gjithashtu përpara.
Pakti i ri
Kjo ishte marrëveshja e fundit me FMN. Por duket se qeveria ka gjetur një mënyrë tjetër për të bashkëpunuar, nëpërmjet këshillimit. "Duke ndjekur këtë marrëveshje, dhe për sa kohë Shqipëria ka detyrime të vonuara financiare në FMN, që rrjedhin nga borxhet e paguara në marrëveshjen aktuale, Shqipëria do të konsultohet me FMN mbi politikat ekonomike dhe financiare, me iniciativën e qeverisë apo Bankës së Shqipërisë, ose nëse Drejtori Menaxhues i FMN-së kërkon konsultime të tilla. Këto konsultime mund të përfshijnë korrespondencën dhe vizitat e zyrtarëve të FMN në Shqipëri apo përfaqësuesve të Shqipërisë në FMN".