E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, 35 socialistë firmosin kërkesën për në Kushtetuese

 

Aristir Lumezi

Deputetët socialistë e kanë çuar ligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve” në Gjykatën Kushtetuese. Një kërkesë prej 29 faqesh dhe e firmosur nga 35 deputetë, do të dorëzohet sot në këtë gjykatë, me anën e së cilës kërkohet antikushtetutshmëria e ligjit, si dhe pezullimi i zbatimit të tij, deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë. Në thelb të kërkesës së tyre, socialistët shprehen se “ky ligj cenon rëndë parimet e kushtetutshmërisë, të ndarjes së pushteteve, të drejtën për punë, të drejtën për mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor, të drejtën për t’u prezumuar i pafajshëm, të drejtën për të mos u ndëshkuar dy herë për të njëjtin veprim dhe të drejtën për t’u zgjedhur”. Socialistët kërkojnë pezullimin e këtij ligji, pasi ai ka filluar të japë pasojat e veta, ndërsa mund të shkaktojë dhe probleme të rënda në funksionimin e institucioneve kushtetuese në vend. “Sipas nenit 45 të Ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’: ‘1. Gjykata Kushtetuese, kryesisht ose me kërkesë të palës, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërorë ose të individëve sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancën plenare, urdhëron pezullimin e ligjit ose të aktit. Pezullimi vazhdon derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, thuhet në kërkesën e socialistëve. Ata e cilësojnë antikushtetues këtë ligj, pasi cenon pavarësinë e institucioneve dhe anën funksionale të tyre. Në kërkesën e tyre, socialistët shprehen se “dispozita të caktuara në këtë ligj tejkalojnë rregullimet e parashikuara nga një seri nenesh të Kushtetutës së Republikës dhe me ligje të përforcuar (të quajtur ndryshe edhe “organikë”), pasi prezantojnë një shkak të ri për shkarkimin e organeve të parashikuara nga Kushtetuta”. Por socialistët e mbështesin fort kërkesën e tyre për antikushtetushmërinë e ligjit, me faktin se anëtarët e  institucioneve kushtetuese që preken nga ky ligj, janë të miratuara në kuvend me 3/5 e votave të kuvendit, ndërsa ky ligj është miratuar me shumicë të thjeshtë. “Sipas nenit 6, “Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse…”, ndërsa në nenin 81, pika 2, shkronja “a” theksohet, ndër të tjera, se ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta duhet të miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në kërkesën e tyre. Deputetët kërkues argumentojnë të gjitha rastet kur vepron ligji “Për Pastërtinë e figurave” mbi anëtarët e institucioneve kushtetuese, duke i ballafaquar ata me përcaktimet ligjore kur ata e lenë mandatin e tyre kushtetues, duke e quajtur atë në kundërshtim me të. Ndërsa një pikë tjetër e fortë, e cila goditet nga socialistët dhe kërkojnë një interpretim dhe nga Gjykata Kushtetuese, janë dhe kompetencat që ligji i jep Autoritetit të Kontrollit të Figurës. “Autoriteti i Kontrollit të Figurës merr kompetenca të plota që kushtetuta dhe ligje të tjera organike ja kanë njohur institucioneve të tjera, siç është rasti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Ministrit te Drejtësisë, të Presidentit, të Prokurorit të Përgjithshëm etj”, shprehen socialistët në kërkesën e tyre.

Pse kundërshtohet ligji i “Dosjeve”

Ky ligj cenon rëndë parimet e kushtetutshmërisë, të ndarjes së pushteteve, të drejtën për punë, të drejtën për mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor, të drejtën për t’u prezumuar i pafajshëm, të drejtën për të mos u ndëshkuar dy herë për të njëjtin veprim dhe të drejtën për t’u zgjedhur

Autoriteti i Kontrollit të Figurës merr kompetenca të plota që kushtetuta dhe ligje të tjera organike ja kanë njohur institucioneve të tjera, siç është rasti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Ministrit te Drejtësisë, të Presidentit, të Prokurorit të Përgjithshëm etj.

Dispozita të caktuara në këtë ligj tejkalojnë rregullimet e parashikuara nga një seri nenesh të Kushtetutës së Republikës dhe me ligje të përforcuar (të quajtur ndryshe edhe “organikë”), pasi prezantojnë një shkak të ri për shkarkimin e organeve të parashikuara nga Kushtetuta.

Sipas nenit 6, “Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse…”, ndërsa në nenin 81, pika 2, shkronja “a” theksohet, ndër të tjera, se ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta, duhet të miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Presidenti i Republikës, por dhe prokurorë, gjyqtarë të lartë nëse verifikohen se preket nga ky ligj, brenda 10 ditësh duhet të japin dorëheqje, ndërsa kushtetuta përcakton qartë rastet kur ai largohet nga posti i tij

Ligji parashikon përfundimin e mandatit të deputetit, nëse ai preket nga zbatimi i tij, ndërkohë që një gjë e tillë bie ndesh haptazi me parashikimin e pikës 1 të nenit 65 të Kushtetutës, ku është e parashikuar shprehimisht se si dhe kur përfundon mandati i deputetëve të Kuvendit

Nuk mundet që me ligj, të parashikohet ndryshe nga sa është parashikuar dhe urdhëruar në Kushtetutë, në respektim edhe të hierarkisë së normave ligjore të parashikuara në nenin 116 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ligji parashikon dhe mbarimin e mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, kur kushtetuta ka përcaktuar qartë rastet kur këta gjyqtarë mbarojnë mandatin. Në asnjërin prej këtyre rasteve nuk është parashikuar mbarimi i mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, sipas parashikimeve të ligjit “Për  pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.

Antikushtetutshmëria e dispozitave të ligjit në shqyrtim reflektohet edhe për të gjithë ato funksione që përfshihen në parashikimet e nenit 3 dhe 4 të tij dhe që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Ligji nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” është ligj i cili kërkon një shumicë të cilësuar për t’u miratuar prej 3/5 e të gjithë anëtareve të Kuvendit të Shqipërisë, pra është një ligj që në hierarkinë e normave ligjore qëndron më lartë se ligji Nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.

Kushtetuesja në Gjermani

Gjykata Kushtetuese do të mungojë gjatë gjithë javës që vjen. Anëtarët e saj janë ftuar nga Gjykata Kushtetuese gjermane, për të marrë pjesë në një seminar që kjo gjykatë zhvillon. Ftesa e bërë nga kjo Gjykatë përcakton takime të shumta, me qëllim shkëmbimin e përvojës dhe ballafaqim me legjislacionin gjerman. Takimet do të zhvillohen në qytetin Karlstruh. Kjo vizitë e anëtarëve të kësaj gjykate do të shtyjë në kohë marrjen në shqyrtim të kërkesës së socialistëve për ligjin e “Dosjeve”, po ashtu dhe marrjen e një vendimi të ndërmjetëm për pezullimin e zbatimit të këtij ligji. Vetëm të hënën më 9 shkurt, kryetari i kësaj gjykate do të ketë në tryezën e tij kërkesën e socialistëve për të nisur procedurat ligjore të saj.

Dosjet, maxhoranca konfirmon ligjin

BLEDAR HOTI

Reagimet e ndërkombëtarëve për ligjin e Dosjeve shkaktojnë debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës në Parlament. Seanca e djeshme u karakterizua me tensione dhe polemika, çka solli dhe ndërprerjen e dytë radhazi të punimeve parlamentare. Për më shumë se një orë, maxhoranca dhe opozita debatuan ashpër në lidhje me ligjin e Dosjeve. Socialistët i kërkuan PD-së që të tërheqë ligjin e Dosjeve, ndërsa maxhoranca nga ana tjetër ftoi opozitën për të marrë pjesën në Autoritetin e Verifikimit të Figurave. Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, deklaroi në Kuvend se “maxhoranca i mirëkupton shqetësimet e ndërkombëtarëve, por është e vendosur të zbatojë ligjin e “Lustracionit”. Ndërsa opozita nga ana e saj bëri thirrje për tërheqjen e ligjit, pasi është e vendosur që ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj deklaroi se “Opozita ka qenë dhe është e gatshme për hapjen e dosjeve, por për këtë duhet respektuar kërkesa e BE-së, që ka kërkuar konsensus politik për ligjin”. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Bumçi, ka akuzuar direkt kreun e PS-së për qëndrimin e mbajtur në lidhje me ligjin e Dosjeve. “E majta e sotme e Edi Ramës nuk i afrohet as të majtës së ’97, që ishte shumë më revanshiste. Në atë kohë, ajo megjithëse e deformoi dhe degradoi ligjin e Lustracionit të miratuar në vitin ‘95, të paktën sa për sy e faqe e la atë në fuqi. Por sot Edi Rama nuk e arrin dot as këtë standard. Ai është njeriu-fasadë që mbështjell në një ambalazh të ri një mesash të vjetër dhe antinjerëzor”, deklaroi Bumçi. Ndërsa zv.kryeministri Genc Pollo i kërkoi opozitës të marrë pjesë në komisionin që do të bëjë verifikimin e zyrtarëve. Por nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, ka bërë të qartë se ligji Lustracionit u miratua për t’i bërë presion gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak se po hetohen disa prej dosjeve të korrupsionit. “Çështja nuk është tek dosjet dhe e përsëris dhe një herë tjetër: ne jemi gati të hapim dosjet, pa asnjë lloj sikleti, me akses për çdo qytetar shqiptarë që kërkon të njihet me të shkuarën, por çështja është tek korrupsioni i kësaj qeverie”. Ndërsa debati më i ashpër është zhvilluar mes Braçes dhe Xhaferrit, në lidhje me videon e zv.ministrit. “Zv/Kryeministrit, në mungesë të Kryeministrit, do të doja t’i dhuroja këtë rrip, për ta lidhur zv/ministrin tuaj, që të mos bëjë të njëjtën gjë dhe herës tjetër”, deklaroi Braçe. Ndërsa demokrati Ferdinand Xhaferri deklaroi se “atë rripin që e nxori dhe e vendosi këtu dhe e mori stafi i Kuvendit, ta marrë dhe t’ia çojë kryetarit të tij. Zv.ministri i Shëndetësisë, në një festë private hoqi vetëm këmishën, kurse ai rripi mund t’i bëjë një punë kryetarit se mund ta përdorë për gjethe fiku, se ka dalë përpara shqiptarëve komplet lakuriq”, deklaroi Xhaferri.

Jozefina Topalli
“Ligji është për ata që janë sot në këtë sallë dhe për ata që do të jenë nesër. Ndërsa ju kërkoni që të futni problemet në shoqërinë shqiptare. Me këtë ligj nuk merremi me qytetarin e thjeshtë, ne nuk merremi me punonjësin e thjeshtë. Ne kërkojmë standarde vetëm për nivele më të larta, titullarë, deputetë, gjykatës, prokurorë që kanë vrarë dhe kanë tërhequr trupa zvarrë në qytetet kryesore, në Shkodër, në Sarandë gjer në vitin 1989. E imagjinoni çdo të thotë të marrësh në varr trupin e vdekur, si mund të qeshësh, a ke fëmijë ti?. Imagjino ti, një 16-vjeçar me e vrarë dhe trupin e tij me e marr zvarrë në gjithë qendrën e qytetit, je baba ti more, je prind more. Jo mor zotëri, këtu ndahemi ne me njëri-tjetrin”.

Astrit Patozi
“Gjithçka doni ta ktheni si në një ndeshje që ka mbaruar. Por tashëm ju keni humbur. Ne jemi të përcaktuar qartë si e djathtë, kemi votuar për hapjen e dosjeve, duke filluar verifikimin nga ne. Por ju keni frikë jo vetëm nga dosjet tuaja, por edhe mijëra fije që ju lidhin me regjimin. Ne ju ftojmë edhe një herë që bashkë me kryetarin tuaj çlirohuni, çlirohuni, dilni dhe kapërceni komplekset e vjetra, sepse Shqipërinë me Evropën nuk e ndan ligji i Lustracionit, me Evropën e ndan sidomos mos distancimi nga krimet kundër njerëzimit. Duam të pastrojmë fosilet e diktaturës. Deri tani kemi pranuar të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por nuk mund të pranojmë një vendim në konflikt interesi”.

Aldo Bumçi
“E majta e sotme e Edi Ramës nuk i afrohet as të majtës së ’97, që ishte shumë më revanshiste. Në atë kohë ajo megjithëse e deformoi dhe degradoi ligjin e Lustracionit të miratuar në vitin “95, të paktën sa për sy e faqe e la atë në fuqi. Por sot Edi Rama nuk e arrin dot as këtë standard. Ai është njeriu-fasadë që mbështjell në një ambalazh të ri një mesash të vjetër dhe antinjerëzor. Ligji i Lustracionit kërkon që ata që qeverisin këtë vend të emëruar dhe të zgjedhur të mos kenë lidhje me të kaluarën komuniste. Por dhe kaq është shumë për Edi Ramën dhe PS-në. Ata janë kundër këtij morali, edhe pas 18 vjetësh, kur e majta pretendon për një politikë të re, ajo nuk arrin dot të hedhë këtë hap minimal”.

Valentina Leskaj
“Së fundmi BE, por edhe SHBA dhe institucione të tjera ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjet e tyre për këtë ligj dhe kanë kërkuar konsensus politik. Jam e çuditur dhe e keqardhur, ajo që po bëni ju sot si maxhorancë është kundër kërkesës së BE-së, kundër asaj që kërkohet. Deklarata e djeshme e BE-së fillonte me kërkesën për konsensus politik dhe ajo që ju po bëni sot është kundër kësaj kërkese të BE-së. Ju po e fusni Parlamentin në krizë duke provokuar dhe fyer opozitën dhe duke mos u marrë me axhendën e vërtetë që ka Parlamenti. Ne kemi qenë, jemi dhe mbetemi për hapjen e të gjitha dosjeve, përfshirë dhe të atyre që janë në këtë sallë”.

Erjon Braçe
“Sekretari Terri Devis, deklaroi se ligji shkel të gjitha standardet e KE, është i papranueshëm dhe cenon rëndë  institucionet dhe liritë e të drejtat e njeriut në Shqipëri, por përsëri Kryeministri juaj, në hall të madh e familjarë, doli e tha se Teri Devis kishte gjykuar gabim nisur nga përkthimi gabim i ligjit të Berishës nga sabotatorët në administratën e tij.
Kaq mjafton që BE dje t’ua rrëzojë ligjin për të mbrojtur hapur pavarësinë e gjyqësorit, por kësaj here një mëndjekuq, dje, pa njerëz pa mbështetës, pa parti, pa portofol ekzekutiv, por me thes, madje dhe në një karrige lëvizëse, vazhdoj po njësoj të refuzojë sugjerimet e perëndimorëve për të hequr dorë nga dhunimi i sistemit të drejtësisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›