Shpronësimet, banorët në protestë
KUKES - Banorët e Kukësit bllokojnë punimet e autostradës. Ngjarjet janë zhvilluar në dy fronte pune, sipër godinës së ish- Divizionit dhe 300 metra më tej, tek tokat bujqësore të fshatit Gostil, ku fadromat kanë nisur të gërmojnë arat me grurë, pa marrë parasysh se fermerët nuk janë kompensuar. Përfaqësues të shtatë shtëpive që përfshihen në segmentin e devijuar të rrugës, por dhe banorë të Gostilit, kërkuan ndaljen e punës nga fadromat derisa ata të përfshihen në hartën e kompensimeve, për shtëpitë që do të prishen, por edhe për sipërfaqet e mbjella. Rreth 40 efektivë të policisë, si dhe forca të FNSH-së, mbërritën në vend, duke hasur në kundërshtinë dhe presionin e banorëve, të cilët kërkojnë me ngulm kompensimin. Ndërkohë që gratë rezistuan në protestën e tyre, disa burra të fshatit u mbajtën të izoluar në furgonët e policisë, derisa mbaroi orari zyrtar i punës. j.h