Zjarr në shtëpi, humb jetën 83-vjeçari
SHKODER - Një i moshuar humbi jetën mbrëmë, pasi banesa e tij u përfshi nga flakët. Preng Gjeloshi, 83 vjeç, ish-futbollist i "Vllaznisë" në vitet '40 ndodhej i vetëm në shtëpi kur gazi për ngrohje provokoi zjarrin. Sipas burimeve të policisë flakët në shtëpinë njëkatëshe të lagjes "Perlat Rexhepi" u shfaqën rreth orës 19:30. Kryefamiljari, i cili prej kohësh ishte i paralizuar, ndodhej i vetëm në shtëpi në ato momente. Flakët nga ngrohësja me gaz kanë mbuluar shtëpinë, duke mos i dhënë asnjë mundësi shpëtimi të moshuarit. Alarmin e dhanë fqinjët e tij që lajmëruan zjarrfikëset. Ndonëse forcat e shuarjes së zjarrit kanë shkuar me urgjencë, ata e kanë pasur të vështirë të depërtonin brenda rrugicës, për shkak të parkimeve të gabuara të makinave. Megjithatë, e pamundura është bërë për të lokalizuar flakët që të mos përhapeshin më gjerë. Pranë shtëpisë së viktimës ndodhet dhe ajo muze e Luigj Gurakuqit. Pritet që ekspertët të zbardhin dhe shkaqet e sakta të zjarrit që shkaktoi tragjedinë në familjen Gjeloshi. r.d