E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi për zgjedhjet: Në 254 qendra të hapura, numri i aplikimeve është më pak se 25



Shaban Sulçe

Pajisja e shqiptarëve me karta identiteti po kthehet në “thembrën e Akilit” për zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat janë shumë pranë dështimit. Alarmi vjen nga statistikat e paraqitura nga Partia Socialiste. Një raport i publikuar nga selia rozë konstaton shifra dëshpëruese për numrin e aplikimeve të kryera nga shtetasit shqiptarë për t’u pajisur me karta identiteti. Sipas këtij raporti, në më shumë se 250 qendra të hapura, numri i aplikimeve nuk e kalon shifrën 25. Për më tepër rezulton se në 62 qendra, asnjë shtetas nuk ka aplikuar për t’u pajisur me kartë identiteti, ndërsa në 40 qendra të tilla numri i aplikimeve është vetëm 1. Këto të dhëna kanë bërë që në Partinë Socialiste të jepet sinjali “SOS” për zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti socialist, Kastriot Islami, tha se situata është alarmante, se rreziku ndaj zgjedhjeve po rritet dhe se e vetmja rrugë shpëtimi është shpërndarja falas e kartave të identitetit.

Kartat
Duke iu referuar të dhënave të marra nga Ministria e Brendshme, Islami tha se deri në datën 6 prill janë kryer 159 mijë aplikime nga votuesit pa pasaportë. Por, sipas tij, kjo shifër është shumë e ulët, pasi kanë mbetur pa aplikuar mbi 500 mijë votues të tjerë pa pasaportë. Deputeti socialist tha se deri tani janë dhënë vetëm 95 mijë karta identiteti. “Numri total i kartave të tërhequra nga votuesit pa pasaportë dhe me pasaportë është vetëm 95 mijë, ndërkohë që i atyre pa pasaportë nuk jepet ende nga Ministria e Brendshme, por me siguri nuk do ta kalonte shifrën 35 mijë ose rreth 4.7 për qind e votuesve pa pasaportë”, - tha Islami.
Sipas të dhënave të publikuara nga Partia Socialiste rezulton se deri tani janë hapur 410 qendra aplikimi për kartat e identitetit. Por problem përbën fakti se nga këto qendra, në 62 prej tyre nuk ka pasur asnjë aplikim, në 40 qendra të tjera kanë aplikuar përkatësisht nga një votues, ndërsa në 152 qendra të tjera aplikimet kanë qenë 2-15.

Problemet
Partia Socialiste konfirmon gjithashtu shifra të ulëta aplikimi të votuesve pa pasaportë në disa qarqe të vendit. Kështu, në qarkun e Dibrës kanë aplikuar vetëm 4.2% të këtyre shtetasve, në qarkun e Elbasanit 14.2%, ndërsa në atë të Vlorës 18.5%. Përsa u përket rretheve, ai i Bulqizës shënon rekordin më negativ. Vetëm 1% e shtetasve pa pasaportë kanë mundur të aplikojnë për karta identiteti. Të dhënat e selisë rozë rendisin një sërë arsyesh që kanë ndikuar në nivelin e ulët të aplikimeve, si: problemet e internetit, vështirësitë e hasura për akses në bazën e të dhënave, performanca e dobët e operatorëve si dhe vështirësia financiare e votuesve pa pasaportë, të cilët nuk janë në gjendje të paguajnë. Partia Socialiste kërkon gjithashtu që taksa e votës të hiqet edhe për kategoritë e mëposhtme: komunitetin egjiptian, 92 mijë familjet në asistencë, 150 mijë pensionistët në fshat, 100 mijë personat me aftësi të kufizuara, 30 mijë invalidët si dhe 20 mijë persona që jetojnë me të ardhurat e papunësisë.

Raporti për kartat e identitetit

Në 60 qendra-0 aplikime
Në 40 qendra-1 aplikim
Në 152 qendra-2-15 aplikime
Qarku Dibër: 4.2% aplikime të shtetasve pa pasaportë
Qarku Elbasan: 14.2& aplikime të shtetasve pa pasaportë
Qarku Vlorë: 18.5% aplikime të shtetasve pa pasaportë
Rrethi Bulqizë: 1% aplikime të shtetasve pa pasaportë
570 mijë votues pa pasaportë ende nuk kanë aplikuar

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›