PSD: Qeveria “Berisha”, kampione korrupsioni
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi nga Durrësi se qeveria “Berisha” është kampione e korrupsionit. Në takimin e zhvilluar me strukturat socialdemokrate të Durrësit, Gjinushi ishte i shoqëruar nga nënkryetarët Ingrid Shuli dhe Engjëll Bejtja. Ai analizoi gjendjen aktuale ekonomike e politike në vend. “Berisha, në çdo lloj skandali apo konflikti midis qeverisë dhe institucioneve, ka mbajtur anën e krimit dhe jo të drejtësisë, anën e korrupsionit dhe jo të institucioneve”,- u shpreh Gjinushi. Kryetari i PSD-së tha se ajo që po ndodh sot është produkt i zgjedhjes së keqe në 2005-n, por një zgjedhje që nuk e bëri populli shqiptar. Sipas tij, shumica e shqiptarëve në 2005-n nuk votuan për rikthimin e Berishës, nuk votuan për rikthimin e PD-së, por votuan që të rifitonte grupimi i majtë. Ai u shpreh se e majta, në rast fitoreje, do të punojë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe që ajo ta meritojë ftesën.
11 Prill 2009