Shitja e INSIG, shprehin interesin nëntë kompani
Fabiola Çela
Nëntë kompani të huaja kanë shprehur interes për të blerë kompaninë shtetërore të sigurimeve INSIG. Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë vlerësuar ofertat e paraqitura nga nëntë kompanitë dhe pas kësaj do të kryejnë seleksionimin e kompanive që kualifikohen si investitorë strategjikë për të blerë INSIG-un. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, brenda kësaj jave do të kryhet edhe listimi zyrtar i blerësve të mundshëm të kompanisë INSIG. Pas kësaj përfaqësuesit e kompanive të huaja do të ftohen që të kryejnë vetë analizën financiare të INSIG-ut. Për këtë proces kompanive të huaja do t’u lihet një muaj afat dhe pas kësaj ata duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave çmimin që ata ofrojnë për blerjen e kompanisë INSIG. Pas kësaj do të jetë grupi i punës që do të përcaktojë se cila ofertë është më e leverdishme. Aktualisht kompania KPMG është duke kryer vlerësimin e kompanisë INSIG. Ky do të jetë çmimi minimal dhe do të krahasohet me ofertat e kompanive. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, shpallja e ofertës më të mirë për privatizimin e kompanisë INSIG do të kryhet brenda muajit nëntor, duke i dhënë fund kështu procesit të privatizimit të kompanisë së parë të sigurimeve në vend.
Të ardhurat
Me të zgjedhur fituesit e tenderit për privatizimin e INSIG-ut, do të fillohet negocimi i kontratës, pasi nuk ka më procedura të tjera, siç janë për privatizimet e tjera, që marrin miratimin e Këshillit të Ministrave. Qeveria ka menduar që të ardhurat që do të arkëtohen nga privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG t’i shpenzojë për investime dhe kryesisht për rrugën Durrës-Kukës. Deri në fund të këtij viti qeveria ka planifikuar që të mbyllë procesin e privatizimit për një sërë kompanish. Aktualisht qeveria ka miratuar kontratën e shitjes së kompanisë së përpunimit të naftës ARMO. Të ardhurat që do të merren nga shitja e kësaj kompanie janë destinuar të përdoren 50 për qind për investime dhe pjesa tjetër do të përdoret për uljen e deficitit buxhetor. Ndërkohë po këtë vit pritet që të përfundojë edhe privatizimi i Drejtorisë së Kolaudimit të Makinave. Sipas burime nga Ministria e Transportit, tre kompani të huaja kanë kaluar fazën e parakualifikimit. Tenderi ndërkombëtar për dhënien me koncesion të kolaudimit të makinave është parashikuar që të kryhet në muajin nëntor të këtij viti.
Privatizimi i paketës shtetërore në AMC
Brenda këtij viti është planifikuar që të përfundojë edhe procesi i privatizimit të paketës shtetërore në shoqërinë AMC. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, aktualisht ka përfunduar vlerësimi dhe u klasifikua si fituese kompania konsulente, e cila do të asistojë qeverinë shqiptare në procesin e vlerësimit dhe shitjes së aksioneve të mbetura shtetërorë në shoqërinë AMC.