Kriza financiare, ul cmimin e naftës
Ulet çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare. Shkak për këtë rënie është tronditja e tregjeve financiare ndërkombëtare. Kjo tronditje ka rritur shqetësimet e investitorëve, sipas të cilëve një rritje më e dobët ekonomike mund të ulë kërkesën për naftë. Por një ulje e çmimit të arit të zi në tregjet e huaja nuk është reflektuar në atë vendas. Në kohën kur çmimi i arit të zi arriti majat e tij, periudhë në të cilën një fuçi naftë kuotohej me 150 dollarë, në tregun vendas një litër naftë kushtonte 172 lekë. Por sipas mediave të huaja, tashmë një fuçi naftë në bursat e Nju Jorkut kuotohet me 89.2 dollarë, duke pësuar kështu një ulje të ndjeshme. Ndërsa në tregun vendas një litër naftë kushton 159 lekë. Pra në tregun vendas çmimi i karburanteve është ulur vetëm me 6 për qind, ndërkohë që në tregjet e huaja ulja e çmimit të arit të zi ka qenë e konsiderueshme. Sipas importuesve të karburanteve, duhet ende kohë që të ndihet ulja e çmimit të karburanteve në vend. Por e kundërta ndodh sa herë që çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare pëson rritje. Në këto raste importuesit nuk ngurrojnë që të rrisin brenda javës çmimet e karburanteve. Por nga ana tjetër, pavarësisht rritjes së çmimit të karburanteve në vend, kërkesa për këto produkte nuk është ulur. Sipas të dhënave më të fundit nga administrata doganore, importi i karburanteve gjatë këtyre 8-muajve ka pësuar rritje. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij harku kohor janë zhdoganuar mbi 262 mijë tonë karburante, ose 1 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet.