Ekstradohet i dënuari me 12 vite burg
Një person i dënuar nga drejtësia shqiptare me 12 vjet burg për vrasje, është ekstraduar të martën nga Italia. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, bënë të ditur dje se Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, realizoi ekstradimin e shtetasit Viktor Gjoka, 27 vjeç, nga Puka. Sipas këtyre burimeve, 27-vjeçari Gjoka ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, me vendimin nr.56, datë 19. 07. 2005, e ka dënuar me 12 vjet burg për veprat penale të "vrasjes me dashje", "kanosjes" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake". Bëhet e ditur gjithashtu se arrestimi i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, është kryer me datë 09. 11. 2007 në Milano, Itali, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe strukturave homologe policore italiane. Në Aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas, shtetasi i ekstraduar iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Pranga gruas për armbajtje pa leje
Policia e Durrësit ka arrestuar gjatë mesditës së djeshme një grua që mbante pistoletë në çantën e saj. Burime zyrtare pranë kësaj policie shpjeguan se gjatë një kontrolli rutinë nga patrullat e gatshme është gjetur në çantën e Angjelina Bujës
një armë zjarri pistoletë model 54 dhe një krehër me 7 fishekë. Të njëjtat burime shpjeguan se Buja kishte lindur në Shkodër por prej disa vitesh ishte banuese në Shënavlash, Komuna e Xhafzotaj në Durrës. Të dhënat paraprake kanë rezultuar se ajo ishte e ve dhe e padënuar më parë. Pas arrestimit të saj është ngritur akuza e “armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë dosja e saj i kaloi prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.
Kapet në port ushtari që kishte dezertuar
Ka menduar t’i shpëtojë një herë e mirë shërbimit ushtarak, por, është arrestuar në port. Burime nga Policia Kufitare e Komisariatit të Portit Durrës pohuan dje se në pranga ka rënë I kërkuari Griseld Stoçeni. Të njëjtat burime shpjeguan se ndaj Stoçenit Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë kishte dhënë dënimin e formës së prerë prej 5 muajsh për dezertim. Menjëherë pas arrestimit, Stoçenit i është komunikuar akuza dhe është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit. Sipas policisë shtetasi në fjalë do t’i dorëzohet për veprime të mëtejshme Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë.
14 Gusht 2008