E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, shembet një pjesë e shtëpisë 300-vjeçare të Koloit

 

GJIROKASTËR - Amortizimi i shtëpive karakteristike në qytetin e gurtë, prej vitesh është kthyer në këmbanë alarmi. Një tjetër banesë është rrezikuar të shembet totalisht gjatë ditës së djeshme, duke bllokuar edhe segmentin që lidh qytetin e vjetër me të riun. Abandonimi nga pronarët, mungesa e investimeve prej dekadash, si dhe djegia një vit më parë, ka bërë që banesa 300- vjeçare e Koloit në lagjen “Varosh” të kthehet në rrezik serioz, jo vetëm për banorët e shtëpive rreth e rrotull, por edhe të kalimtarëve. Pas ndërhyrjes së pak kohëve më parë për prishjen e disa pjesëve të amortizuara, rreziku është rikthyer. Shirat e rëna gjatë këtyre ditëve shkaktuan dëmtimin e mëtejshëm të saj. Specialistët e monumenteve, të ndihmuar edhe nga Policia e Rendit dhe ajo Bashkiake, prishën një tjetër pjesë muri që ishte gati në shembje. Burime në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës bënë të ditur se gjendja e banesës është mjaft e rëndë dhe se nëse degradimi do të vijojë, do të ketë të tjera ndërhyrje për prishjen e saj. Shtëpia 300-vjeçare, e lënë në mëshirë të fatit u dogj në pjesën më të madhe të saj nga një zjarr aksidental i rënë një vit më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›