E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi në kazino, oficeri akuzë për vrasje nga “tronditja psikike”

 

TIRANE – Prokuroria e konsideron “vrasje në gjendje të tronditjes së fortë psikike” përplasjen me armë mes oficerit të policisë Kastriot Stojani dhe ish-oficerit Muharrem Lita, ngjarje që përfundoi me ekzekutimin e këtij të fundit. Organi i akuzës ka përfunduar hetimet për ngjarjen e ndodhur më 26 shtator 2008. Dosja penale për këtë ngjarje, me nr. 2375 është depozituar për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, hetimi i ngjarjes tregoi se oficeri i forcave speciale Kastriot Stojani, i punësuar si roje private në kazinonë ku ndodhi krimi, ka qëlluar me armë ish-kolegun e tij “në gjendje të tronditjes së rëndë psikike”. Një cilësim i tillë i veprës penale lehtëson ndjeshëm oficerin e arrestuar Kastriot Stojani, i cili pasi ra në pranga, në dëshmitë e tij për hetuesit ka shprehur pendesën për ngjarjen. Megjithatë, rrethanat konkrete të saj kishin mbetur të paqarta, por Prokuroria thekson në dosjen e dërguar për gjykim, se oficeri Stojani ka qenë në gjendje të rëndë psikike në momentin kur qëlloi me armë ish-efektivin e policisë Muharrem Lita. Duket se gjaknxehtësia ka qenë problematike për të dy palët, pasi dëshmitarët e hetimit i kanë thënë Prokurorisë se autori i krimit dhe viktima, kanë pasur njohje mes tyre para se të ndodhte ngjarja dhe marrëdhëniet kanë qenë normale. Por komunikimi mes dy palëve duket se është rënduar dukshëm mbrëmjen e 26 shtatorit 2008, kur ish-oficeri i Policisë së Shtetit Muharrem Lita, kishte humbur një sasi lekësh në kazino dhe pas kësaj ka qëlluar disa nga pajisjet që ndodheshin në sallën e lojërave të fatit. Ai ka debatuar me disa punonjës të kazinosë, të cilët kanë lajmëruar menjëherë truprojat, tre oficerë të RENEA-s mes të cilëve ndodhej edhe Kastriot Stojani. Ai ka shkëmbyer fjalë dhe më pas është përleshur me ish-kolegun Muharrem Lita, duke thyer derën e jashtme të kazinosë e më pas duke qëlluar me armë në drejtim të 40-vjeçarit që humbi jetën menjëherë. Pas ngjarjes, oficeri Kastriot Stojani u vetëdorëzua në polici dhe pretendoi se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi. Megjithatë, sipas Prokurorisë duket se ngjarja ka marrë drejtim të pakthyeshëm në momentin që oficeri dhe ish-oficeri vunë dorë mbi njëri-tjetrin, duke kthyer gjithçka në një betejë mes tyre.                   tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›