Investimet, realizohen 87% e tyre
Mbledhja e taksave nuk ka qenë në nivelin e parashikuar në fillim të vitit nga qeveria. Ministria e Financave ka publikuar të dhënat zyrtare mbi 10-mujorin. Sipas të dhënave, deri në fund të muajit tetor, qeveria ka mundur të realizojë një pjesë të mirë të projekteve. Ndërkohë një tjetër taksë që nuk është arritur të mblidhet, sipas parashikimeve, është edhe taksa e tatimit mbi pasurinë.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat zënë peshën kryesore në buxhetin e shtetit. Por sipas të dhënave më të fundit, të publikuara nga Ministria e Financave, gjatë këtij viti është vënë re se nuk ka tejkalim të planit për sa i përket mbledhjes së taksave. Deri në fund të muajit tetor në ardhurat në total janë arkëtuar në masën 96.89 për qind. Nga ku të ardhurat tatimore janë realizuar në masën 97.69 për qind ndërsa ato doganore në masën 99.25 për qind. Në fakt niveli i të ardhurave tatimore dhe doganore duket se ka rënë edhe në sy të ndërkombëtarëve. Pak kohë më parë zyrtarë të FMN-së kanë deklaruar se qeveria duhet të rrisë nivelin e të ardhurave tatimore dhe doganore. Ndërkohë të dhënat zyrtare tregojnë se bashkitë dhe komunat janë sërish goxha prapa me planin e hartuar në fillim të vitit. Në total të ardhurat nga pushteti lokal janë realizuar në masën 82.97 për qind. Por më problematike duket se ka vazhduar të jetë mbledhja e taksës së tatimit mbi pasurinë. Të dhënat tregojnë se mbledhja e kësaj takse është realizuar në masën 58.69 për qind. Në fakt jo pak herë zyrtarë të Ministrisë së Financave i kanë kërkuar pushtetit lokal që të rrisë nivelin e të ardhurave. Ndërkohë e kundërta ka ndodhur me taksat e biznesit të vogël. Ky i fundit duket se është më i rregullt në pagimin e taksave pasi të ardhurat nga biznesi i vogël rezultojnë të jenë realizuar 97.67 për qind. Një tjetër e dhënë e rëndësishme në treguesit fiskale të 10 mujorit janë edhe shpenzimet kapitale. Të dhënat tregojnë se deri në fund të muajit tetor shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 87.75 për qind. Pjesa më e madhe e projekteve janë investime në infrastrukturë. Si çdo vit edhe në 2008-ën këto projekte kanë marrë pjesën më të madhe të fondeve për investime. Edhe këtë vit mësohet të ketë shumë para të pashpenzuara. Bëhet fjalë për fondet rezervë në buxhetin e shtetit apo para të projekteve që nuk kanë mundur të realizohen në kohë. Për shpenzimin e tyre Ministria e Financave ka vendosur që të bëjë edhe këtë vit një rishpërndarje të fondeve, në mënyrë që këto para të shkojnë për financimin e projekteve të mëdha, siç është psh rruga Durrës-Kukës.