E Diel, 1 Nëntor 2026

Epidemia rrezikon sanatoriumin

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Laboratori në sanatoriumin e Korçës rrezikon të kthehet në një vatër të rrezikshme të përhapjes së epidemive. Për shkak të vjedhjes së një tubi në sistemin e shkarkimit të ujërave, gjithë mbetjet e analizave të bacileve, gjakut dhe urinës që mbeten në mjediset e laboratorit, derdhen në katin të parë të ndërtesës. Shefja e Sanatoriumit, Diana Aliçkolli pohoi se në laboratorin e spitalit që ajo drejton është evidente një vatër infeksioni. Sipas saj, në sipërfaqe qëndrojnë mikrobe të rrezikshme pasi aty përfundojnë bacilet, gjaku e urina e të sëmurëve edhe me turbekuloz, mbasi kryhen analizat. “Në laborator gjendja e rëndë dhe e rrezikshme për shëndetin është krijuar nga vjedhja e tubove të shkarkimit të ujërave të zeza. Ne kemi lajmëruar policinë dhe kemi vënë në dijeni edhe Drejtorinë e Qendrës Spitalore për të rregulluar shkarkimet”, u shpreh Aliçkolli. Por drejtoresha e cila është edhe mjeke e specializuar për sëmundjet e mushkërive hodhi alarmin se rreziku nga kjo vatër infeksioni mbetet evident. Sipas saj, bacili i turbekulozit merret edhe nëpërmjet ajrit. Kjo gjendje, siç deklarohet nga vetë personeli i shërbimit të këtij laboratori, ka dy vjet që ka filluar. Kati i parë i ndërtesës ka dalë fare jashtë përdorimit. Tashmë veç ujërave që derdhen nga dy lavamanët e dhomave ku kryhen analizat në katin e dytë, ajo shërben edhe si banjw publike. Në mjediset e këtij kati uji arrin deri në gju, ndërsa lagështia po gërryen themelet e ndërtesës së rikonstruktuar në vitin 2000. Të ekspozuar ndaj infeksioneve janë edhe banorët e pallateve aty pranë. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, javën e kaluar persona ende të paidentifikuar vodhën edhe dyert e dritaret e katit të parë, duke e shkatërruar fare atë. Më të ekspozuar mbeten punonjëset e laboratorit, të cilat çdo ditë punojnë mes rrezikut të infeksionit. Po kështu rrezikohen të infektohen edhe pacientët e spitalit të sanatoriumit që janë shtruar për pneumoni apo të tjerë që bëjnë analiza për të ekzaminuar sëmundje të ndryshme. Shumë pranë laboratorit ka edhe banesa të shumta që rrezikohen nga mikrobet që përhap kati i parë. Mjekët pohuan se duke qenë se bacili i tuberkulozit përhapet edhe nëpërmjet ajrit, të rrezikuar mbeten madje edhe kalimtarët. Përbri godinës së laboratorit të sanatoriumit gjendet një rrugë kryesore që rrihet, përveç se nga pacientë të spitalit apo familjarë të tyre, edhe nga banorë të lagjes pranë, si edhe shumë qytetarë të të gjitha moshave, që kalojnë aty për të frekuentuar shëtitjet në kodrat e qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›