E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurbneshi, si u shkretua qyteti i floririt

 

RRESHEN / HASAN PASHA

Kurbneshi para viteve '90 ishte qendër e rëndësishme industriale. Gumëzhinte nga punëtoria dhe aktiviteti prodhues i bakrit, prej të cilit nxirrej metali i çmuar i floririt. Qyteti dhe dy-tre fshatrat përreth numëronin mbi 6500 banorë. Numrin më të lartë të njerëzve të punësuar e zinte miniera e bakrit, pak kilometra mbi qytetin e ftohtë të Kurbneshit në rrethin e Mirditës. Mirëpo tani Kurbneshi nuk mund të quhet më qytet. Madje, në gjuhën administrative të ditëve të sotme është cilësuar thjesht komunë. Ai ka mbetur si një zonë e bombarduar dhe gjithçka tani kujtohet me "ishte".
Qyteti sot
Pa mbërritur në shëtitoren e dikurshme, plot me punëtorë e banorë të qytetit, në këmbët e urës mbi lumin Uraka, ata pak banorë që kanë mbetur në këtë zonë kanë ngritur baraka që kanë zëvendësuar lokalet e dikurshme. Vetëm ky kontrast midis lokaleve të trajtimit të punëtorëve dhe barakave të sotme do të mjaftonte për të parë ndryshimin e madh dhe të pamenduar të Kurbneshit. Kanë mbetur më pak se 300 banorë, të strehuar në dy-tre pallate, ndërkohë që objektet e tjera janë shembur e po shemben dita-ditës. Ish-pallatet e qytetarëve dhe fjetoret e punëtorëve janë rrënuar. Moti mjaft i ftohtë dhe i acartë në dimër ka ndikuar në amortizimin e objekteve. Të tjerë banorë në ikje e sipër e kanë hequr nga një tullë. Në jug të qytetit të shfaqet ish-fabrika e parë e pasurimit të bakrit në vendin tonë. Atëherë kishte punësuar mbi 200 punëtorë. Në vitin 1953, specialistë gjermanë e shqiptarë e ngritën atë mbi lumin e Urakës dhe për vite me radhë kjo fabrikë siguronte të ardhura kolosale për ekonominë shqiptare. 50 specialistë shqiptarë u specializuan në Gjermani për mbarëvajtjen e punës në fabrikë. I afrohesh pranë fabrikës së dikurshme dhe dallon si është katandisur ajo. Deri në vitin 1990 ajo përpunoi tonelata bakër, ndërsa tani kanë mbetur vetëm rrënojat.
Fabrika e Kurbneshit
Pas vitit 1990 ajo e ndali prodhimin pasi nga miniera e bakrit nuk prodhohej më mineral. Mbeti ashtu si mall pa zot, por nuk pësoi dëmtime të mëdha. Marsi i vitit 1997 do të ishte fatal dhe për Fabrikën e Kurbneshit. Të fortët e zonës vunë dorë mbi të dhe nisën të marrin makineri e pajisje metalike, të cilat i shitën jashtë vendit, kryesisht në Mal të Zi, në Nikshiq. Banorët pranë fabrikës tregojnë se shteti nuk ekzistonte. Njerëz të njohur të zonës nisën të çmontojnë ç'të mundin, duke ngarkuar mjetet e tyre me hekurishte që shiteshin në tregun e zi. Brenda një kohe të shkurtër fabrika e humbi dhe pamjen e dikurshme. Fabrika u katandis në këtë gjendje sepse shteti nuk mendoi ta privatizonte, ta jepte me koncesion apo ta vinte në punë atë. Askush, as ministria e linjës, as Albbakri, as policia lokale nuk e ndalën shkatërrimin e një objekti kaq të rëndësishëm.
Si jetojnë banorët e Kurbneshit
Kurbneshi nuk mund të konsiderohet më qytet. Dallohen qartë rrënojat e mensave, lokaleve të tregtisë, të furrave të bukës, pallatit të kulturës, shkollës së mesme, spitalit, çerdheve e kopshteve. Familjet e mbetura ndihmohen kryesisht nga të afërmit e tyre emigrantë jashtë vendit. Të tjerë rreken të shfrytëzojnë lëndën drusore në masivet pyjore të zonës, disa kilometra larg Kurbneshit. Specialistët e administratës së komunës nuk e kanë me dëshirë të të thonë cila është gjendja social-ekonomike e banorëve të kësaj treve. Mësojmë se në komunën e Selitës, ku përfshihet dhe Kurbneshi, trajtohen me ndihmë ekonomike 250 familje. Shteti akordon 65 për qind të fondit. Mungojnë prej vitesh investimet në rrugën Rrëshen-Kurbnesh, Kurbnesh-Lurë, në shëndetësi, arsim, në sektorin elektrik, etj.

Silikoza dhe aksidentet vranë 180 minatorë

Mbi 180 ish-minatorë të Kurbneshit kanë ndërruar jetë nën moshën 50-vjeçare për shkak të sëmundjes së silikozës. Specialistët e shëndetësisë, Naim Leka e Pashk Nikollaj thonë se kjo sëmundje e rëndë e organeve të frymëmarrjes në vendin tonë u zbulua pas viteve '60-të. "Silici është një element kimik që shoqëron bakrin. Është më i fortë se diamanti", shpjegojnë ata. Pasi prek mushkëritë krijon "një merimangë" e cila jo vetëm pengon frymëmarrjen normale por dëmton njëkohësisht mushkëritë e personit të prekur. Sipas mjekëve, janë grimca mjaft të holla që krijojnë shqetësime serioze sapo i prekuri ftohet, preket nga gripi apo ka probleme të tjera shëndetësore. Silikoza dhe aksidentet nuk kursyen as specialistët e lartë të minierës së bakrit. Minatorët e mbetur gjallë kujtojnë me respekt inxhinierët Robert Mustafaraj, Petrit Kollaku, Ylber Nazifi, Spiro Vëllai, të cilët humbën jetën për shkak të sëmundjes së silikozës. Po ashtu kujtohen me dhimbje minatorët e parë të aksidentuar në minierë si Selman Cara, Gjin Pjetër Nikolla, Hajrulla Suçi, Tuc Preng Doda, etj,. Minatorë dhe banorë të zonës thonë se ishte Preng Pepa, ai që ngriti i pari zërin për realizimin e shpimit të lagët. Një masë e tillë minimizonte maksimalisht prekjen nga silikoza. Kjo teknikë u arrit të realizohej në vitin 1954. Një masë e tillë shtoi jetën e minatorëve që nisën punën pas këtij viti, ndërkohë që qindra minatorë të tjerë nga rrethet Mat, Mirditë e Dibër ishin prekur nga sëmundja e rëndë. Megjithatë, punësimi në minierat e bakrit apo në fabrikën e pasurimit të tij ishin të vetmet mundësi për banorët e zonës që më vonë u quajt qytet, për ta mbajtur këtë emër deri në vitet e fundit.

Kurbneshi, vendi i zgjedhur për të internuar “armiqtë e popullit”

Në vitet e diktaturës Kurbneshi është shfrytëzuar nga pushteti i kohës dhe si vend internimi. Janë disa familje që jetuan për vite të tëra në këtë qytet. Kurbneshi u përdor si vend internimi për shkak të motit mjaft të ftohtë, largësisë nga kryeqyteti, punës së vështirë në minierë, se strukturat e sigurimit ishin në gjendje të kontrollonin gjithçka e për një sërë arsyesh të tjera. Banorët e Kurbneshit kujtojnë familjen e Kadri Hazbiut, Koço Theodhosit, Spiro Rushës, Hysen Budës, etj. "I kemi njohur mjaft mirë djemtë dhe vajzat e Kadri Hazbiut - thonë banorët e pakët të Kurbneshit. - Njëri prej tyre, Petriti kishte mbaruar shkollën e lartë për inxhinier, por e caktuan nëntokë si punëtor ngarkim-shkarkimi. Ndërsa djalin tjetër, Agronin, e caktuan në galeri, ku u gjet i vrarë më vonë, pasi kishte mbështjellë trupin me dinamit. Asnjëherë nuk u mësua vrau veten apo e vranë". Njerëzit e tjerë të familjes së Kadri Hazbiut punonin në ndërmarrjen komunale. Pjesëtarët e kësaj familjeje, por dhe ata të familjeve të tjera të internuara paraqiteshin çdo ditë në zyrën e policisë dhe raportonin vendndodhjen e tyre. Koço Theodhosi fillimisht është caktuar drejtor i Fabrikës së Pasurimit, mirëpo pa kaluar gjashtë muaj ai është arrestuar e burgosur. Djali i tij, Arben Theodhosi ka punuar deri në vitet '90 në galeritë e minierës së Kurbneshit, si punëtor transporti. Të njëjtin fat kishin dhe fëmijët e atyre që u cilësuan "armiqtë e partisë e popullit" nga diktatura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›