Përleshje për pronën, vritet 29-vjeçari
Dashamir Biçaku
Dhjetë vitet e një konflikti pronësie për një copë tokë në periferi të Tiranës, u mbyllën dje me një person të vdekur dhe një tjetër të arrestuar. Viktima e vrasjes, 29-vjeçari Xhevdet Qefalia, e gëzonte tokën që ia kishte njohur Gjykata, por që Komuna e Farkës ia kishte dhënë një pronari tjetër. Viktima u qëllua me armë zjarri nga personat me të cilët ishte në konflikt për sipërfaqen e tokës rreth 2 mijë metra katrorë. Policia tha se autori i ngjarjes ishte Kujtim Bakalli, 45 vjeç banues në Sauk. Dyshohet se pjesëmarrës në ngjarje, ka qenë edhe Endrit Bakalli, 18 vjeç, djali i autorit, i cili pasi u mbajt në polici për disa orë është lënë i lirë. Ndërhyrja e policisë dhe arrestimi i Kujtim Bakallit ka shmangur një krim tjetër pas vrasjes, pasi të afërmit e viktimës Xhevdet Qefalia kishin reaguar ndaj autorit të ngjarjes, duke e sulmuar atë me mjete rrethanore. Nga hetimet e para, policia mësoi se palët në konflikt kanë debatuar për rrethimin e një sipërfaqeje toke, afërsisht dy dynymë, e cila po rrethohej nga familja Qefalia. Palët kanë debatuar për konfliktin e pronësisë së tokës që pretendohej nga dy familjet.
Autori i krimit ka pranuar vrasjen përpara hetuesve. Ai ka pretenduar se ishte nxituar për të kryer krimin nga veprimet e kushërinjve dhe vëllezërve të Xhevdet Qefalisë. Autori ka pretenduar se ata i kishin pushtuar tokën, që atij ia kishte dhuruar babai i nënës, ndërsa dje edhe i kishin dhunuar djalin gjatë kohës që Qefaliajt po rrethonin tokën në Sauk.
Konflikti
Dje në mëngjes 45-vjeçari Kujtim Bakalli, ka nxjerrë bagëtitë e tij për t’i kullotur në truallin, që e konsideronte si pronë të dajës së tij. Aty pak minuta më parë kishin zbarkuar me një automjet disa pjesëtarë të familjes Qefalia, të cilët e kishin marrë tokën në bazë të ligjit 7501 të vitit 1991. Në të kundërt në bazë të dokumenteve të vjetra të pronësisë toka ishte në pronësi të familjes Xhafabazi, nga e cila rridhte nëna e Kujtim Bakallit. Ky i fundit ka vënë re, se Qefaliajt kishin sjellë disa shtylla betoni për të rrethuar vendin. Ai është nxehur dhe ka nisur të debatojë me kundërshtarët e tij, që të mos bënin asnjë veprim në truall. Aty mësohet se ka mbërritur edhe djali i Kujtim Bakallit, Endriti, i cili sipas policisë ka nisur të grindet me Qefaliajt, por më pas është tërhequr nga i ati. Në debat e sipër me qëllim për të ndaluar vrullin e punimeve Kujtim Bakalli u është drejtuar njerëzve që punonin të mos kryenin asnjë veprim më tej. Pala tjetër ka reaguar, ndërkohë që Kujtim Bakalli ka qëlluar një herë me çifte në ajër. Pasi kjo nuk ka dhënë efekt ai ka qëlluar në drejtim të njerëzve, ndërsa saçmat e armës kanë goditur Xhevdet Qefaliajn. Ky i fundit ka mbetur i plagosur, është përpjekur të largohet, por ka mundur të ecë vetëm 15 metra e më pas është shembur në tokë. Disa nga të afërmit e tij, e kanë nisur atë për në spital, ndërsa ata që kanë mbetur aty kanë marrë përpara duke qëlluar me sende të forta autorin e vrasjes Kujtim Bakallin si dhe djalin e tij. Sherri është mbyllur vetëm pasi policia shkoi në vendin e ngjarjes, duke parandaluar ndoshta një krim të dytë për konfliktin e pronësisë.
Konflikti, nga vendimi i gjykatës e ligji 7501
Konflikti i pronësisë sipas burimeve të policisë ka nisur për shkak të sipërfaqes prej rreth 2 dynymë truall. Familja Qefalia pretendonte se trualli ishte në pronësi të tyre për shkak se komuna në bazë të ligjit 7501, ua kishte dhënë në pronësi. Në të kundërt familja Xhafabazi, nip i së cilës ishte Kujtim Bakalli, autor i vrasjes së djeshme, pretendonte se toka në bazë të dokumentacionit të vjetër të pronësisë i përkiste atyre. Për këtë shkak familja Xhafabazi, kishte hapur edhe një konflikt gjyqësor për njohjen e pronësisë së tyre në këtë sipërfaqe trualli. Pasi ka konsumuar tre shkallët e gjyqësorit dhe më pas edhe Gjykatën Kushtetuese, familja Xhafabazi, ka fituar të drejtën e pronësisë në bazë të dokumentacionit të vjetër të trashëguar. Vendimin e gjykatës kjo familje e ka përcjellë në Komunën e Farkës, me qëllim që të merrte në administrim pronën fizikisht. d.b
Dëshmitari: Këtu të gjithë kanë konflikte pronësie për tokën
TIRANE- Nazmi Hyka është një nga banorët, i cili gjithashtu ka pasur konflikt dhe është detyruar të debatojë për shtëpinë e ngritur pranë vendit, ku ndodhi krimi i djeshëm në Sauk. “Sot në mëngjes ishte ora rreth 10 e gjysmë, kur dëgjova një krismë arme”, rrëfen Nazmiu. Ai fillimisht kishte menduar se krisma e armës do të qe e ndonjë gjahtari, që bredh në zonë për të vrarë ndonjë zog. Por pas krismës së parë u dëgjua dhe një e dytë në një hark kohor nga njëra-tjetra jo më tepër se një minutë. “Kur dëgjova të dytën dola nga shtëpia, ku po merresha me ca punë dhe hodha një sy nga ballkoni që sheh për nga toka ku grindeshin ata”. Dëshmitari rreth 50-vjeç tregon, se ka parë që Xhevdet Qefalia po ecte pranë rrugës i gjakosur dhe 15 metra më tej është rrëzuar. Sipas banorit të zonës, viktima ishte tërësisht i gjakosur dhe nuk pati fuqi të ecte më tej. Dëshmitari thotë se ndërkohë një grup njerëzish nga familja e Qefaliajve, po merrnin me gurë dhe po qëllonin Kujtim Bakallin. “Deri te përroi ai thuajse shkoi zvarrë. Më pas nuk e kuptova se ç’ndodhi, por të plagosurin e nisën për në Sanatorium. E di që atje kishte mbërritur thuajse i vdekur por me puls”. Më pas ia tregon se kishte marrë vesh pak kohë më vonë, se Xhevdeti kishte vdekur në spital. Nazmiu pohon se konflikte me natyrë pronësie kanë pasur thuajse të gjithë fqinjët e tij.