Mjeku me frymëmarrje artificiale
Dashamir Biçaku
Gruaja dhe të afërmit e autorit të plagosjes së mjekut Agron Ylli u morën dje në pyetje nga policia për shkakun e konfliktit të Bujar Valisit me specialistin endokrinolog.Gruaja e autorit të plagosjes, si dhe të afërmit e tij kanë akuzuar mjekun se nuk ka bërë trajtimin e duhur të pacientes, duke pretenduar se ky ka qenë shkaku i ngjarjes. Megjithatë grupi i hetimit konfirmoi se me prova është faktuar se shkak për plagosjen e mjekut ishte fakti se ai nuk ka firmosur dhënien e këmpit për gruan e autorit të plagosjes, pasi një gjë e tillë ishte refuzuar nga komisioni përkatës. Ndërkaq një ditë pas ngjarjes së rëndë, të ndodhur në qendër të Tiranës, pranë Shallvareve, ku u sulmua mjeku Agron Ylli, gjendja e tij ka vazhduar të jetë e rëndë. Burimet nga Spitali Ushtarak kanë pohuar për gazetën “Panorama”, se mjeku endokrinolog, Agron Ylli ka vijuar të mbahet në sallën e reanimiacionit nën vëzhgimin e kolegëve të tij. Mjeku reanimator i këtij pavijoni, nënkolonel Lutfi Çota ka pohuar dje se gjendja e pacientit mjek, ishte e rëndë dhe ai vazhdonte të mbahej me oksigjen me frymëmarrje të drejtuar, nëpërmjet aparaturave. Sipas tyre, mjeku endokrinolog dhe njëkohësisht edhe diabetolog, kishte kaluar fazën e emergjencës ose të rrezikut dhe po shkonte drejt stabilizimit duke u përmirësuar. Gjithsesi sipas mjekut nënkolonel Lutfi Çota, ishte parë e nevojshme që ai të mbahej nën vëzhgim dhe për këtë qëllim kolegu i plagosur është mbajtur në sallën e reanimacionit edhe gjatë ditës së djeshme. Burime të tjera të spitalit kanë pohuar se në varësi të përmirësimit të gjendjes së mjekut Agron Ylli, ai mund të dilte gjatë ditës së sotme nga reanimacioni për të shkuar në pavijon. Gjithsesi sipas tyre gjendja do të shikohej në vazhdimësi. Mjeku Çota, ka pohuar se plaga është marrë në një arterie që është kryesorja në furnizimin me gjak të organeve të brendshme të barkut, siç janë zorrët. Operacioni, i kryer në Qendrën Kombëtare të Traumës në Spitalin Ushtarak, ka përfunduar me sukses gjatë ditës së shtunë, ku mjeku Agron Ylli i është nënshtruar një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale. Veç të afërmve të familjes dhe miqve, mjeku Ylli, është vizituar edhe nga shumë kolegë të tij të QSUT-së “Nënë Treza”, dhe të Spitalit Ushtarak. Ndërkaq policia, shoqëruar dje në ambientet e policisë ka marrë në pyetje edhe bashkëshorten e autorit të krimit, Bujar Valisi si dhe të afërm të tjerë të tyre. Ndryshe nga autori i plagosjes, të afërmit kanë ngritur si shkak të konfliktit pretendimin se mjeku nuk kishte mjekuar si duhet pacienten. Një fakt i tillë pritet të verifikohet nga hetuesit tek mjekët e tjerë specialistë por sipas të dhënave të hetimit është konfirmuar se konflikti ka qenë për këmpin që autori i ngjarjes kërkonte për gruan e tij.
Ruçi: Dhuna, faji i qeverisë
Ndodhia e djeshme nuk është rastësi, tashmë po kthehet në një fenomen, po kthehet në një fenomen se në harkun e 6 muajve janë sulmuar tre mjekë, njëri mbas tjetrit. Ndaj ne jemi këtu të apelojmë edhe ndaj maxhorancës aktuale ndaj politikave diskriminuese të sektorit të shëndetësisë nga qeveria aktuale dhe jo vetëm kaq, por nuk është rastësi që në kulmin e korrupsionit qeveritar, ku qeverisë aktuale ai i ka kapur prej fyti, qeveria aktuale nxjerr dufin duke ndaluar e duke anatemuar bluzat e bardha.
LSI: Berisha ka Harruar shendetësinë
Qeveria, që për fat të keq qeveriset nga një mjek, të cilit shumë herë i kemi bërë thirrje publike që të ndryshojë sjellje në qëndrimin e tij ndaj shërbimit shëndetësor; po ky burrë i madh që konsideron veten e tij tashmë, si duket, me një mendje të hipur mbi fik se çdo gjë e ka vënë në vijë, ka harruar pjesën thelbësore të qeverisjes, që është shëndetësia, duke e lënë në mëshirë të fatit dhe të kriminelëve mijëra e mijëra kolegëve të tij, të cilët janë në vijën e parë të luftës për jetën.
Godo:Qytetarët të mbështesin mjekët
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, bëri dje apel që qytetarët të mbështesin mjekët në punën e tyre dhe të rikthejnë besimin tek bluzat e bardha. Numri një 1 i Shëndetësisë dënoi dhunën e ushtruar disa herë radhazi ndaj tyre pas plagosjes dy ditë më parë të mjekut Agron Ylli. Ndërkaq ajo pohoi se ka besimin dhe mbështetjen e qeverisë për ndryshimin e gjendjes në sistemin e shëndetësisë. “Lufta kundër korrupsionit po nxjerr anën e saj më negative, dhe po prek bluzat e bardha. Kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë”, tha Godo. Ajo nënvizoi gjithashtu se reformat që po ndërmerren do ta nxjerrin shëndetësinë nga kriza ku ka hyrë. “Kam besimin se shëndetësia do të ndryshojë. Por që të bëjmë këtë kemi nevojë për bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve. Nuk mund të shihen mjekët vetëm si të korruptuar .Misioni i tyre është human dhe këtë humanizëm ata e shprehin çdo ditë me dhjetëra jetë njerëzisht që shpëtojnë”, tha Godo. Ajo nënvizoi se fenomeni i dhunës ndaj bluzave të bardha nuk duhet të përsëritet më dhe vë në presion gjithë shoqërinë.
“Goditja ndaj mjekut, akt i shëmtuar”
Kryeministri Berisha ka reaguar pas plagosjes së mjekut Agron Ylli, në një klinikë në qendër të Tiranës. Në një deklaratë për mediat, të shpërndarë nga Zyra e Shtypit e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë dënon aktin ndaj mjekut të njohur dhe i uron atij shërim të shpejtë. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë kërkoi dje nga organet përkatëse dënimin e merituar për agresorin. “Kryeministri Sali Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe aktin e shëmtuar kriminal të kryer ndaj mjekut, profesorit të asociuar Agron Ylli. Kryeministri i uron shërim të shpejtë, sikundër kërkon nga institucionet përkatëse që agresori të marrë ndëshkimin e merituar”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër dhe ka kërkuar marrjen e masave edhe në dy rastet e fundit, kur bluzat e bardha janë vënë në qendër të sulmeve nga qytetarët.
“Sulmit ndaj Agron Yllit,i pashembullt”
Partia Demokristiane dënon aktin e plagosjes së mjekut Agron Ylli. Nëpërmjet një deklarate të nënkryetares Aida Joanidhi, PDK vlerëson masat e ndërmarra por edhe bën thirrje për t’i dhënë përgjigjen e merituar agresorit. “Akti i pashembullt i goditjes me rrezik për jetën e mjekut të njohur Agron Ylli, përbën episodin më të fundit në varg ngjarjesh të njëjta, si dhe të një fushate mediatike e politike kundër bluzave të bardha”. Duke iu referuar kalimit të shërbimeve nga Ministria e Shëndetësisë te ISKSH-ja, Joanidhi tha se “projektligjet parashikojnë qartë se si bëhet kalimi i shërbimeve nga MSH te Sigurimet Shëndetësore, duke futur mënyrat alternative dhe jo kalime mekanike, nga e bija e Godos te mbesa e Berishës. Viti që vjen, me këto nisma gjysmake dhe të papërgjegjshme të MSH dhe të qeverisë, do të bëjë që spitalet tona të gjenden në vështirësi shumë të mëdha dhe me një çoroditje të madhe, që do t’i kushtojë shumë shtrenjtë qytetarëve”.