E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, tre vetëvrasje në 24 orë

 

DURRES/ OERD ULQINI

Tre vetëvrasje brenda 24 orësh tronditin Qarkun Durrës-Krujë. Bilanci i tyre është më se tragjik. Dy gra janë ndarë përjetësisht nga kjo botë, ndërsa një 19-vjeçar, që vuante në kushtet e arrestit shtëpiak, ka mbijetuar ndonëse prognoza për jetën e tij është e rezervuar.
Elteva Habibi, nënë e dy fëmijëve, është helmuar për vdekje me një lëndë, të cilën mjekësia ligjore nuk e ka përcaktuar ende. Gruaja 30-vjeçare, e cila banonte në zonën e ish-Kënetës, e ka pirë helmin pas një debati të ashpër me bashkëshortin, motivet e të cilit mbeten enigmë. Mësohet se ka qenë vetë burri i saj, ai që e ka transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, por çdo përpjekje ka rezultuar e kotë. Habibi ka gjetur vdekjen vetëm pak orë pas vendimit për t'u vetëflijuar. Vetëm dy orë pas kësaj ngjarjeje, një tjetër mjaft e ngjashme me të është konsumuar në lagjen 17-të të Durrësit. Nurie Bushi, 42-vjeçe, i ka dhënë fund jetës duke pirë fostoksinë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se kjo shtetase në ambientet e shtëpisë së saj, në kushtet e një depresioni të thellë, ka marrë vendimin fatal. Gruaja e martuar jetonte në kushte shumë të vështira ekonomike. Sipas hetuesve, kjo ka qenë edhe zanafilla e vetëflijimit. Ajo është dërguar nga të afërmit e saj në Spitalin Ushtarak, në Tiranë, ku ka gjetur vdekjen në orët e vona të mbrëmjes. Episodi i fundit i këtij kapitulli të trishtë ka ndodhur në fshatin Thumanë të Krujës. Redion Gega, 19 vjeç, ka konsumuar gjithashtu lëndë helmuese të llojit fostoksinë. Ai po trajtohet intensivisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku është dërguar me urgjencë nga të afërmit. Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkak i këtij veprimi është bërë gjendja e rëndë psikologjike e tij. Redioni kishte konsumuar veprën penale të "vjedhjes" dhe për këtë arsye Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë ka dhënë ndaj tij masën e sigurisë "arrest shtëpie", të cilën ai e kryen prej shtatë muajsh. Mësohet se ka qenë pikërisht ky dënim, që e ka shtyrë të riun drejt vetëflijimit. Të tre këto raste janë nën hetim për të zbardhur shkaqet që i shtynë autorët drejt këtyre akteve ekstreme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›