E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i klinikës ABC në gjykatë, fshehu pedofilinë ndaj fëmijëve

 

TIRANE - Drejtori i klinikës mjekësore ABC, dërgohet i pandehur në Gjykatë me akuzën e "moskallëzimit të krimit" me pasojë fshehjen e abuzimeve seksuale, që janë kryer nga tre shtetas britanikë ndaj shtatë fëmijëve të mitur shqiptarë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, thanë se kanë përfunduar hetimet dhe kanë çuar në gjykatë dosjen penale ndaj shtetasit të huaj Guy Eshelman. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale të moskallëzimit të krimit, për shkak se katër nga shtatë të miturit e abuzuar seksualisht në qendrën "Fëmijët e tij", janë ekzaminuar në klinikën ABC, e cila ka hartuar raporte mjekësore që fshehin abuzimet seksuale. I pandehuri për moskallëzim krimi Guy Eshelman u thirr si dëshmitar edhe në procesin gjyqësor, që u zhvillua në Gjykatën e Tiranës ndaj shtetasit britanik David Brown. Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, drejtori i klinikës ABC pranoi se kishte qenë në dijeni të abuzimeve seksuale, porse klinika e tij e kishte mohuar këtë në raportet mjekësore të hartuara pas vizitave të fëmijëve. "Në një sërë raportesh mjekësore të lëshuara nga klinika ABC, theksohet se fëmijët e vizituar aty nuk kanë problem,e kur në fakt ekzaminimet shkencore të zhvilluara nga mjekë të tjerë, tregojnë se shenjat e dhunës seksuale dhe abuzimit mbi fëmijët kanë qenë të dukshme", thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Shtetasi amerikan Guy Eshelman prej vitit 2001 ushtron aktivitetin në Tiranë ndërsa në gjyqin ndaj David Brown vetëm pasi ia theksua se mbante përgjegjësi ligjore për vërtetësinë e dëshmisë, pranoi se nëntë fëmijë të vizituar në klinikën e tij ishin abuzuar seksualisht edhe pse një gjë e tillë nuk pasqyrohej në raportet mjekësore të lëshuara. Të miturit janë dërguar për vizita në klinikën ABC nga David Brown, i cili tentoi të mbrohej pas akuzave që ai dhe britanikët tjerë bënë ndaj njëri-tjetrit për abuzim me fëmijët.              tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›