E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda hetime për trafik, biznesmenit të rrëmbyer në Durrës

 

TIRANE - Prokuroria e Krimeve të rënda filloi procedim penal me akuzën e "falsifikimit të dokumenteve" dhe "dhënies ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit", ndaj biznesmenit durrsak Gazmir Leka. Ai pak ditë më parë u mbajt peng në qytetin bregdetar për disa orë nga tre persona, të cilëve u detyrohej në shumën 7 mijë euro. Policia fillimisht dyshoi se bëhej fjalë për një pengmarrje me qëllime përfitimi, duke besuar se shuma 7 mijë euro ishte ndonjë gjobë, që biznesmeni duhej të paguante në këmbim të lirimit. Por pasi hetimet filluan nga policia lokale dhe vazhduan më tej në Prokurorinë e Krimeve të rënda, u zbulua se autorët e rrëmbimit, Ismail Hamiti, Andrea Leka dhe Arselona A., i kishin dhënë më parë biznesmenit shtatë mijë euro, pasi ky u kishte premtuar viza për kalim në Itali. Por duket se biznesmeni nuk e kishte përmbushur detyrimin e tij, çka është bërë shkak që tre të akuzuarit për rrëmbim të kërkonin kthimin e parave. Sipas prokurorisë, Gazmir Leka nuk ka kthyer shumën financiare që u kishte marrë tre personave ndërsa këta të fundit kanë vendosur ta mbajnë peng atë derisa të bindej për pagesën. Rrëmbimi ka zgjatur vetëm shtatë orë, pasi në lojë hyri policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila urdhëroi arrestimin e tre pengmarrësve. Gjatë dëshmive të tyre ata pohuan se biznesmeni u kishte marrë shtatë mijë euro, duke u premtuar viza dhe kalim në drejtim të Italisë përmes linjës, që kalon nga Mali i Zi dhe Kroacia. Premtimi nuk ishte përmbushur megjithatë, kjo duket se nuk kishte shumë rëndësi për hetuesit, të cilët menjëherë kanë filluar të verifikojnë implikimin e mundshëm të biznesmenit-peng në veprimtarinë e trafiqeve të paligjshme apo falsifikimit të dokumenteve dhe vizave. Gjatë këtyre verifikimeve, prokuroria duket se ka gjetur prova dhe elementë të veprës penale dhe menjëherë ka vendosur të fillojë hetimet ndaj biznesmenit Gazmir Leka. Ky i fundit u mbajt për shtatë orë i rrëmbyer nga tre persona më 20 janar 2009, ndërsa u lirua vetëm pas ndërhyrjes së forcave të policisë. Kjo e fundit ka kryer ndërhyrjen në banesën e Ismail Hamitit në Lushnjë, ku biznesmeni ishte dërguar dhe po mbahej peng pas rrëmbimit në qendër të qytetit të Durrësit. Gjatë kësaj kohe rrëmbyesit i dhanë biznesmenit një telefon, duke i kërkuar të kërkonte para tek të afërm dhe kolegë për të kthyer shumën e shtatë mijë eurove, që u kishte marrë tre pengmarrësve me premtimin për t'i trafikuar jashtë vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›