Presidenti largon Zamir Shtyllën
Presidenti Bamir Topi zyrtarizoi dje me dekretin nr. 6035, largimin e ish-prokurorit të Gërdecit, Zamir Shtylla, nga Prokuroria e Përgjithshme dhe emërimin e tij në Prokurorinë e Elbasanit. Në dekretin e firmosur dje nga kreu i shtetit ndodhen edhe tre prokurorë të tjerë, të përfolur se do të largoheshin nga organi i akuzës për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të Dosjeve. Llambi Baku, ish-drejtues i Antikrimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës, së fundi shef i Sektorit të Antitrafiqeve, është transferuar prokuror i thjeshtë në Krujë. Shahin Pasha, prokuror i emëruar pak kohë më parë në Tiranë, largohet nga qyteti dhe emërohet në Kurbin ndërsa prokurori Përparim Hasa, i cili më parë ka ushtruar detyrën edhe në Prokurorinë e Përgjithshme, është transferuar nga Prokuroria e Tiranës në Elbasan. Lëvizjet e prokurorëve, 13 gjithsej, janë propozuar të gjitha nga kryeprokurorja Ina Rama dhe kanë marrë formë zyrtare nga dekreti i Presidentit, Bamir Topi. Transferimet e prokurorëve kanë prekur edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, prej nga largohet prokurori Bardhok Lleshi, i cili është emëruar prokuror në Lezhë. Ndryshimet vazhdojnë përsëri në Prokurorinë e Tiranës prej nga është larguar prokurori Enklid Gjini, i cili është transferuar në Prokurorinë e Fierit. Një tjetër ndryshim në Prokurorinë e Tiranës, është largimi i prokurorit të njohur Kolë Hysenaj, i cili ka hetuar një sërë dosjesh, përfshi edhe çështjen e famshme të njohur me emrin "Kokaina". Prokurori Hysenaj, i cili së fundi ka drejtuar Sektorin e ri të Luftës Kundër Krimeve ndaj të Miturve, është transferuar nga Prokuroria e Tiranës në atë të Lushnjës. Hysenaj së fundi ka mbrojtur akuzën ndaj pedofilëve anglezë, të akuzuar për abuzime me fëmijët shqiptarë në Tiranë, proces në të cilin David Brown u shpall fajtor dhe mori dënimin maksimal. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme nuk dhanë dje ndonjë konfirmim për shkaqet e lëvizjeve të fundit në organin e akuzës. Në radhët e këtij institucioni, propozimet e bëra nga kryeprokurorja Ina Rama nuk shikohen në fakt si një parapritë për zbatimin e mundshëm të ligjit të Dosjeve, për shkak se në listën e prokurorëve të transferuar ndodhen vetëm katër emra të përfolur ndërsa në radhët e prokurorisë, kjo listë dhe ky dekret, lë të paktën 22 prokurorë me dosje, të cilët vazhdojnë detyrën në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Prokurorinë e Tiranës. Megjithatë, dokumenti i firmosur nga presidenti, me nr.6035, datë 29 janar 2009, i cili hyn në fuqi menjëherë, largon përfundimisht nga Prokuroria e Përgjithshme ish-drejtorin e Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Zamir Shtylla, një prokuror i cili u përfshi në replika publike me faktorë të maxhorancës dhe me vetë Kryeministrin Berisha, pas akuzave për keqtrajtime ndaj qytetarëve gjatë regjimit komunist. tr.so
Transferimet e prokurorëve
1. Zamir Shtylla, nga Prokuroria e Përgjithshme në Elbasan
2. Bardhok Lleshi, nga Krimet e Rënda në Tiranë, në Lezhë
3. Enklid Gjini, nga Prokuroria e Tiranës, në Fier
4. Kolë Hysenaj, nga Prokuroria e Tiranës, në Lushnje
5. Llambi Bako, nga Prokuroria e Tiranës, në Krujë
6. Përparim Hasa, nga Prokuroria e Tiranës, në Elbasan
7. Shahin Pasha, nga Prokuroria e Tiranës, në Kurbin
8. Dritan Gripshi, nga Prokuroria e Durrësit, në Berat
9. Edmond Karriqi, nga Prokuroria e Durrësit, në Kurbin
10. Shyqyri Duro, nga Prokuroria e Kavajës, në Shkodër
11. Arenc Cela, nga Prokuroria e Lushnjës, në Berat
12. Skënder Mestani, nga Prokuroria e Beratit, në Lushnje
13. Julian Zonja, nga Prokuroria e Fierit, në Tiranë