Pronat në bregdet, si përfituan zyrtarët
Trazhgim Sokolaj
Zyrtarët në hetim për skandalin e tjetërsimit të pro-nave në bregdet përballen me kufizime, për shkak se Prokuroria po shqyrton masa ndaluese ndaj tyre. Burime zyrtare nga organi i akuzës, konfirmuan dje mundësinë që për gjashtë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë së Pronave dhe Hipotekës, po kërkohet bllokimi i pasaportave, në mënyrë që ata të mos i shmangen ndjekjes penale. Të njëjtin fat duket se do të kenë edhe katër persona të tjerë, mes të cilëve një biznesmen i njohur, avokati i tij Gjergji H, si dhe dy topografë, të cilët kanë nënshkruar planvendosjen e falsifikuar të 48 hektarëve tokë të tjetërsuar në Plazhin e Gjeneralit në Kavajë. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të prokurorisë, sipas të cilave hetimet për skandalin e vjedhjes së 48 hektarëve tokë në Plazhin e Gjeneralit, po vazhdojnë me shqyrtimin e masave ndaj personave të implikuar. "Pjesa kryesore e veprimeve hetimore-procedurale ka përfunduar dhe tashmë po shqyrtohen masat në të cilat personat e implikuar do të hetohen derisa çështja të përfundojë në gjykatë", thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në dosje janë administruar edhe disa deklarime nga anëtarë të familjes Shijaku, të cilët duket se janë përballur me presione, pasi nënshkrimet e tyre dhe dokumentet e vjetra të pronësisë, u falsifikuan nga persona të tjerë që në emër të këtyre ish-pronarëve aplikuan për të grabitur "Plazhin e Gjeneralit".
Akuzat në dosje
Pas fillimit të hetimeve kryesisht për tjetërsimin e pronës me sipërfaqe 48 hektarë në Plazhin e Gjeneralit, prokuroria ngriti dy akuza, falsifikim dokumentesh zyrtare dhe shpërdorim detyre nga zyrtarët shtetërorë. Sipas prokurorisë, në asnjë episod të hetimit apo të veprimeve që kanë kryer të akuzuarit, nuk është zbuluar ndonjë situatë korrupsioni. Megjithatë të gjithë të dyshuarit kanë pasur interes, që aplikimi i falsifikuar të miratohej sa më shpejt nga Agjencia e Pronave dhe më pas plazhi të regjistrohej në Hipotekë në emër të pronarëve fantazmë. "Nuk është evidentuar të ketë pasur pagesa financiare në formën e ryshfetit ndaj zyrtarëve që lejuan dhe miratuan dhënien e pronësisë në kundërshtim me ligjin. Ka dyshime se këta zyrtarë, veçanërisht në nivelet e larta, kanë pasur përfitime të tjera në formën e bashkëpronësisë në tokën me të cilën është abuzuar", thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, personat që falsifikuan dokumentet e vjetra të pronësisë së familjes Shijaku dhe që në emër të tyre aplikuan në Agjencinë e Pronave në qershor 2008, dyshohet se i kanë korruptuar zyrtarët, që lejuan dhënien e pronësisë, me anë të premtimit se edhe ata do të kishin pjesën e tyre në truallin prej 48 hektarësh në bregdetin e Komunës Synej në Kavajë. Një skenar i tillë është duke u hetuar nga prokuroria, e cila tha se mbështetur mbi të dhëna operative nuk mund të artikulojë zyrtarisht akuzë penale.
Skandali i pronave
Abuzimi me pronat publike dhe shtetërore në bregdet po hetohet nga Zyra e Task-Forcës Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës që prej tetorit 2008. Kjo është dosja më voluminoze e hetuar ndonjëherë nga prokuroria shqiptare lidhur me çështjen e pronave, edhe për shkak se i hetuesi kryesor është ish-drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronave Tunxh Vatnikaj, i cili u shkarkua pak ditë më parë nga detyra. Në hetim janë marrë edhe ish-vartës të Vatnikajt si dhe zyrtarë të Agjencisë së pronave të Tiranës dhe punonjës të Hipotekës. I pandehur në dosje është edhe një nga biznesmenët më të njohur të ndërtimit në vend, si dhe avokati i tij, i cili ka asistuar falsifikimin e dosjes dhe aplikimin në AKKP dhe Hipotekë për të marrë në pronësi "Plazhin e Gjeneralit". Sipas hetimeve të prokurorisë, aplikimi fals në emër të familjes Shijaku, është depozituar në AKKP në mesin e muajit qershor 2008 dhe në shtator Agjencia e Pronave ka miratuar titullin e Pronësisë për Plazhin e Gjeneralit, i cili u bllokua në Hipotekë për shkak të ndërhyrjes nga Prokuroria.