E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, shembet Shtëpia e Kulturës

 

ELBASAN - Inspektorati Ndërtimor nisi dje punën për prishjen e godinës së Shtëpisë së Kulturës, e cila ndodhet në qendër të Elbasanit. Shefi i Inspektoratit Ndërtimor, Aurel Kaja, u shpreh se "jemi mbledhur për të ekzekutuar vendimin e KRRT-së së Bashkisë së Elbasanit për prishjen e godinës, pasi do të realizohet një investim kolosal, ku do të zgjerohet rruga në të mirë të komunitetit.
Kemi rënë dakord me pronarët e dyqaneve, të cilët kishin marrë me qira katin e parë të godinës dhe tashmë kemi nisur prishjen e godinës". Në ndihmë të Inspektoratit Ndërtimor ishte edhe policia e Elbasanit, e cila dislokoi efektivë rrugorë me qëllim normalizimin e qarkullimit në zonën ku do të veprohej. Mësohet se godina dykatëshe do të prishet pjesë-pjesë, kryesisht në orët e vona të natës. KRRTRSH-ja ia kaloi Shtëpinë e Kulturës në vitin 2008 në pronësi Bashkisë. Kjo e fundit, me vendim të KRRT-së, vendosi që të prishë godinën e cila prej vitesh ishte e amortizuar dhe të bëjë të mundur zgjerimin e segmentit rrugor me katër korsi. Bashkia akordoi edhe një fond prej 30 milionë lekësh të reja për kompensimin e trashëgimtarëve të tokës. Prishja e godinës do të zgjasë rreth dy ditë e më pas Bashkia e Elbasanit do të nisë investimin për zgjerimin e rrugës me katër korsi në kuadër të projekteve që ky institucion ka ndërmarrë për zgjerimin e qendrës së qytetit. Projekti për zgjerimin e kësaj rruge, sipas burimeve në bashki, do të nisë shumë shpejt. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›