E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncon ish-gruan për rrëmbimin e vajzës

Një 39-vjeçar nga Elbasani ka akuzuar ish-bashkëshorten për rrëmbimin e së bijës. Denoncimi ka mbërritur në Policinë e Elbasanit mesditën e djeshme, kur Ardian Osmani, 39 vjeç, lindur e banues në lagjen "Emin Matraxhiu" të Elbasanit ka bërë kallëzim penal në ngarkim të 34-vjeçares Valentina Misha, lindur e banuese në lagjen "5 Maji" të këtij qyteti. Të njëjtat burime saktësojnë se Osmani ka qenë i martuar për dy vjet me Mishën, me të cilën ka lindur dhe vajza e tyre M.M., aktualisht një vjeçe e 6 muaj. Sipas deklarimeve të tij, para 3 javësh, si pasojë e një konflikti, ish-gruaja është larguar nga banesa së bashku me vajzën e tyre në drejtim të qytetit Ferizaj në Kosovë. Ndërkohë, ish-bashkëshorti i Valentinës ka deklaruar se ajo nuk është e punësuar, por shfrytëzon për të lypur vajzën e vogël për të fituar të ardhura. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim 34-vjeçaren Misha dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "trafikimi i të miturve".

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›